E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë, rrihet drejtori i spitalit

Dhunohet gjatë detyrës drejtori i spitalit të Bajram Currit. 

Incidenti u shënua gjatë orëve të mbrëmjes së të enjtes, pasi të afërmit e një pacienteje të revoltuar nga vonesa e mjekut e sulmuan fizikisht Petrit Malën. Nga burime të policisë së Tropojës, Mala, njëkohësisht dhe mjek gjinekolog është rrahur në ambientet e brendshme të spitalit të qytetit nga dy të rinj. Vëllezërit Shefqet dhe Naim Lataj, përkatësisht 30 dhe 23 vjeç janë arrestuar menjëherë pas ngjarjes nga policia, e cila ka marrë njoftimin e më pas dhe denoncimin për dhunë për shkak të detyrës nga drejtori i spitalit. Gjatë hetimeve mbi rrethanat e ngjarjes është mësuar se dy vëllezërit kishin dërguar në spital, në ambientet e maternitetit një të afërmen e tyre që pritej të lindte. Ata i kanë kërkuar mjekut të vetëm gjinekolog, Malës që të shkonte menjëherë pranë pacientes për të ndjekur ecurinë e lindjes së fëmijës. Dëshmitarët dhe vetë mjeku kanë pohuar se ai u është përgjigjur se po mjekonte një pacient tjetër dhe sapo të mbaronte do të shkonte pranë familjares së tyre. Kjo përgjigje përballë këmbënguljes së dy të rinjve është pasuar fillimisht me fyerje e më pas me shtyrje e goditje ndaj doktorit. Bëhet e ditur se e afërmja e tyre ka marrë ndihmën mjekësore, por dy vëllezërit Lataj janë vënë pas pak minutash në pranga. Pas denoncimit për ngjarjen, mjeku Mala ka qëndruar në detyrë gjatë natës, madje dhe mëngjesin e djeshëm ai ka qenë i pranishëm si zakonisht në institucionin që drejton prej disa muajsh. Kolegët e tij pohuan se, Mala nuk ka probleme për shëndetin, por atij i kanë mbetur hematoma si pasojë e goditjeve. Mjekët e spitalit të Bajram Currit vazhdimisht kanë qenë në presion diktuar dhe nga ngjarjet e bujshme që kanë ndodhur në këtë qytet vite më parë. Por, aktualisht si pasojë e largimit të tyre apo emërimet e pakta në këtë institucion, spitali po vuan prej mungesës së specialistëve. Deri pak kohë më parë, një mjek gjinekolog vinte nga Gjakova për të marrë pjesë në ndërhyrje kirurgjikale gjatë lindjes apo vizita të planifikuara. Mjeku i lënduar, Petrit Mala gëzon respekt në opinionin e qytetit të Tropojës si specialist i fushës së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›