E Diel, 1 Nëntor 2026

Tropojë, zbardhet skenari i vrasjes: 31-vjeçarja i telefonoi burrit, më pas ftoi të dashurin

TROPOJE - Një thirrje telefonike e bërë pak kohë para vrasjes së dyfishtë ka ndihmuar policinë e Tropojës për zbardhjen e ngjarjes që tronditi banorët e qytetit të Bajram Currit. Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë së këtij qyteti kanë bërë me dije se Manjola Dollapi, nënë e një djali 6 vjeç, i ka telefonuar bashkëshortit të saj, Eduard Dollapit. Pasi ky i fundit i ka thënë se ndodhej në punë, 31-vjeçarja ka futur në banesën e saj Kaçanik Gjuriçin, me të cilin dyshohet se kishte lidhje jashtëmartesore. Pas zbardhjes së telefonatës së çiftit, hetuesit e çështjes kanë ndërtuar skemën e ngjarjes, ku mbetën të vrarë me automatik 34-vjeçari Dollapi dhe 27-vjeçari Gjuriçi. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje, Manjola Dollapi ka deklaruar se nuk e njihte Kaçanik Gjuriçin. Burime jo zyrtare dje pohuan se gruaja e akuzuar për vrasjen e dyfishtë, ka tentuar që t’i japë fund jetës duke prerë damarët e duarve. Nga ana tjetër, burime pranë grupit hetimor sqaruan se kjo nuk është aspak e vërtetë dhe se autorja e krimit ndodhet e izoluar në qelitë e paraburgimit.

TELEFONATA
Vrasja e njëkohshme e Eduard Dollapit dhe e Kaçanik Gjuriçit nga Manjola Dollapi ka intriguar blutë e Tropojës. Për të hedhur dritë rreth faktit se përse 27-vjeçari ndodhej në orët e natës në banesën e familjes Dollapi, policia ka nisur zbardhjen e tabulateve telefonike. Ekspertë të çështjes u shprehën se 31-vjeçarja i ka telefonuar të shoqit, i cili natën e së enjtes ndodhej në punë, në Hidrocentralin e Fierzës. “Manjola e ka marrë në telefon të shoqin para ngjarjes. Ndërsa ai i ka thënë se ndodhej në punë, gruaja është siguruar se ai nuk do të kthehej, ndaj ka ftuar në banesë Kaçanik Gjuriçin, me të cilin dyshohet se ka pasur lidhje sentimentale”, - deklaruan burime zyrtare nga policia e Bajram Currit.

SKENA E KRIMIT
Dyshohet se, Eduard Dollapi kishte dyshime se bashkëshortja e tij e tradhtonte, ndaj ka lënë punën dhe është kthyer në banesën e tij në lagjen “Partizani” të qytetit Bajram Curri. Po sipas burimeve policore, 34-vjeçari është tronditur kur ka gjetur në banjën e shtëpisë Kaçanik Gjuriçin. Kryefamiljari ka marrë thikën dhe ka filluar të përleshet me 27-vjeçarin. “E gjendur në një situatë të tillë, Manjola Dollapi ka marrë automatikun që e mbante poshtë divanit dhe ka qëlluar me breshëri mbi bashkëshortin e saj, Eduardin, duke e lënë të vdekur në vend. Dyshojmë se në kushtet e një depresioni të thellë mendor, 31-vjeçarja ka qëlluar dhe mbi Gjuriçin, duke e lënë dhe këtë të vdekur në vend”, - sqaruan burimet e mësipërme. Po sipas policisë, Manjola Dollapi është larguar nga banesa duke ka përfituar nga errësira dhe ka shkuar tek motra e saj në fshatin Margegaj.

DËSHMIA
“Po. Unë vrava bashkëshortin tim dhe atë personin tjetër që nuk e njihja. Isha në gjumë bashkë me djalin tim të mitur, kur dëgjova zhurmë tek dera e shtëpisë. U ngrita dhe shkova për t’a hapur, kur pashë Eduardin duke u përleshur me një burrë tjetër. Ky i fundit mbante një thikë në dorë dhe në momentin që tentoi të më vriste burrin mora automatikun që e mbaja në banesë dhe qëllova për t’a mbrojtur”, - ka thënë para hetuesve të çështjes Manjola Dollapi.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›