E Diel, 1 Nëntor 2026

Daçiç: Politikanët shqiptarë të mos flasin shumë

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç, u ka sugjeruar politikanëve shqiptarë në Preshevë që të mos flasin shumë, por të ruajnë pozitat e tyre. 

Ai ka thënë se përgjigja me forcë e xhandarmërisë serbe ndaj shqiptarëve, që sipas tij kanë sulmuar policët, ka qenë e drejtë pasi askush nuk guxon të çoj dorë ndaj njësive speciale. 

Daçiç ka udhëtuar vet për në Vranje për të folur për çështjen në një konferencë të jashtëzakonshme, pas arrestimit të tetë shqiptarëve. Ai ka thënë se amnistia që u është garantuar me marrëveshje ndërkombëtare nuk vlen për krime. 

“Kur është fjala për amnistinë e miratuar nga Vojisllav Koshtunica dhe institucionet federale të asaj kohe, do të doja t’ua rikujtoj, ndonëse nuk dua ta komentoj politikisht pasi mendoj se jemi shteti i vetëm që kemi amnistuar terroristët, ajo nuk përfshin veprën penale për krime ndaj njerëzimit, përkatësisht krime lufte”, ka deklaruar Daçiç. 

Policia serbe ka bastisur tetë lokacione dhe ka arrestuar tetë persona, pesë për krime lufte, ndërsa tre të tjerë për sulme ndaj policëve dhe armëmbajtje pa leje. 

Për krime lufte janë arrestuar Elhami Salihi, Mustafa Limani, Sherif Abdyli, Nedir Sefedini dhe Sevdai Emrullahi. Abdyli është përkthyes i OSBE-së në Serbi. 

Ndërsa në grupin e tre personave të tjerë ndodhet edhe Izet Qazimi, vëllai i Ridvan Qazimit, të njohur si komandant Lleshi që kishte udhëhequr Ushtrinë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në konfliktin e armatosur të vitit 2001. 

Të arrestuarit akuzohen për disa sulme, vrasje dhe mbajtje të serbëve në burgje në Terrnac dhe fshatrat përreth Bujanocit, ku edhe kanë ndodhur bastisjet. Të arrestuarit janë dërguar në Beograd, ndërsa shqiptarët kanë reaguar. 

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›