E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trualli në qendër, qeveria e nxjerr në shitje me 2000 /m2

TIRANË - Është sqaruar pozicioni i qeverisë lidhur me truallin pranë sheshit Skënderbej, për të cilin Rama dhe Olldashi u konfliktuan disa ditë më parë. Sipas Kryeministrit, kjo tokë është e shtetit dhe jo e ish-pronarëve dhe do të vihet në shtije për 2 000 Euro metri/ katror. Shuma e përfituar që kap vlerën e 112 milion eurove do të shkojë në fondin e dëmshpërblimit të ish-pronarëve. Nismën për nxjerrjen në ankand të Sheshit e ka bërë të ditur sot Kryeministri, Sali Berisha në mbledhjen e Qeverisë, duke hedhur poshtë jo vetëm projektin e Bashkisë së Tiranës për të ngritur aty një godinë shumëdimensionale por edhe të ministrit të tij, Olldashi për të bërë një lulishte në këtë pjesëz të Sheshit "Skënderbej" që për 20 vite me radhë ka mbetur e rrethuar.



Berisha tha se nuk ka pronarë të këtij trualli, duke i cilësuar abuzive dokumentet e familjes Kika dhe Komunitetit Mysliman që e pretendojnë këtë tokë dhe që janë argumentuar edhe nga Bashkia e Tiranës si pronarëve të ligjshëm.



"Shpronësimet e bëra nga mbreti Zogu i I-rë, për këtë zonë të qytetit, kanë pasur kompensimet përkatëse ndaj falsifikatorët dhe mbështetësit e tyre (Bashkia e Tiranës) do të marrin përgjigjen e merituar nga ligji", tha Berisha. Sipas tij, qendra e Tiranës në çdo centimetër të saj është vetëm pronë publike dhe në tokën në fjalë ka qenë një barakë e ndërtuar nga fundi i viteve 1800, një kazermë ushtarake turke. Me të gjitha dokumentet, ajo është një dhomë tregtie, më vonë spital austrohungarez e pastaj gjimnaz.



Duke e konsideruar pronë publike, dhe mbështetur në një ligj të vitit 2004 që vetëm Qeveria ka të drejtë ta shesë, Kryeministri deklaroi se "ne do ta shesim atë me 2000 euro metrin katror, në përputhje me planin e qytetit që ndërtohet, por i gjithë ky fond prej 112 milion euro gradualisht do të kalojë i tëri për kompensimin e pronarëve".



"Molla e sherrit", është një sipërfaqe e konsiderueshme toke, në mes të Rrugës së Kavajës dhe Rrugës së Durrësit. Ministria e Transporteve nisi sheshimin e tokës pak dite me pare, ndersa Bashkia nderhyri per te mbrojtur pronen private te familjes Kika dhe Komunitetit Mysliman duke bere publike edhe dokumentet e pronesise se tyre. Dritan Agolli, shef i Urbanistikës në Bashki u shpreh se "prej kohësh sipas planit të qendrës së Tiranës, në të këtë vend parashikohej ngritja e një godine shumëfunksionale". Sipas Bashkisë, ky është presion i hapur dhe cenim i drejtpërdrejtë i autonomisë. "Bashkia e Tiranës në mënyrë të vazhdueshme do t'i përgjigjet baltës së politikës vetëm me të vërtetën mbështetur në prova dhe fakte. Ministria e Punëve Publike deklaron se prona është publike, por në të rezultojnë pronarë Komuniteti Mysliman dhe familja Kika", sqaroi Agolli.



Më tej, ai ka kërkuar nga Prokuroria të hetojë ngjarjen. "Bashkia e Tiranës i bën thirrje publikisht Prokurorisë të hetojë kallëzimin penal të bërë nga ana e saj për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë ata shtetarë që në shkelje të ligjit penguan Inspektoratin Urbanistik të kryejë detyrën e vet si dhe arrestuan inspektorin e lartë në krye të detyrës" tha ai.



Nga ana tjetër, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi nuk ka ngurruar ta quajë abuziv vendimin e Bashkisë. "Reagimi i Bashkisë së Tiranës nuk është normal, pasi toka në qendër të Tiranës është shtetërore dhe nuk ka leje ndërtimi nga pushteti lokal. Ne kemi vendosur që në qendër të Tiranës të ndërtohet një lulishte", u shpreh Olldashi pak dite me pare, i cili mbrojti edhe pozicionin e policisë, duke thënë se "policia e Rendit është vënë në mbrojtje të tokës shtetërore".



Çështja në fjalë pritet të mbërrijë në dyert e prokurorisë pasi si Bashkia ashtu edhe Ministria e Transporteve pretendojnë ta zgjidhin me gjyq pronësinë e tokës në qendër.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›