E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trukimet UEFA ne Shqiperi

Çështja e trukimeve të ndeshjeve që është shndërruar në gangrenën e futbollit botëror, e që përflitet edhe në Shqipëri ka bërë që UEFA të zbarkojë në Tiranë, duke ofruar bashkëpunim dhe mbështetje në luftën kundër këtij fenomeni.

Pas kërkesës së institucionit që drejton futbollin në Europë, shefi i këshilltarëve ligjorë të UEFA-s, Pier Kornu i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të futbollit, Eduard Prodani ka zhvilluar një takim në Prokurorinë e Përgjithshme me drejtorin e drejtorisë së hetimit, Sokol Stojani Shkëlqim Hajdarin, drejtues i Prokurorisë së Apelit në Tiranë dhe kryetar i Shoqatës së Prokurorëve dhe sekretarin e përgjithshëm të Prokurorisë, Pandi Madhi.

Në këtë takim, u diskutua rreth shqetësimeve dhe dyshimeve për mundësitë e trukimit të ndeshjeve si dhe vendosja e kontakteve të bashkëpunimit në këtë drejtim. Përfaqësuesi i UEFA-s, njoftoi për vendosjen e një sistemi për deduktimin e të dhënave nga vende të ndryshme mbi rezultatet e ndeshjeve, nga ky nisin edhe mundësitë e hetimeve për rezultate të paracaktuara në futboll.

Pier Kornu kërkoi mbështetjen e Prokurorisë Shqiptare në luftën kundër trukimit të ndeshje si dhe përfshirjen e strukturave të tjera shtetërore për ta vlerësuar seriozisht këtë shqetësim, duke gjetur edhe gadishmërinë për bashkëpunim të institucioneve shqiptare.

Gjithashtu, është vlerësuar edhe mundësia për profilizimin e oficerëve të veçantë të policisë gjyqësore nëpërmjet trajnimeve dhe edukimit, për parandalimin e ndeshjeve të trukuara.

Shqipëria, ashtu si edhe shumë vende të tjera, kryesisht të lindjes dhe me futboll jo shumë të zhvilluar, vuan dyshimet për ndeshje të trukuara me qëllim përfitimin nga bastet. Kjo ka bërë që UEFA ti dorëzojë sistematikisht FSHF-së lista me ndeshje dhe skuadra që dyshohen për manipulime rezultatesh. Kjo ka bërë që së fundmi UEFA të sjellë raporte me dyshime sipas niveleve të ndryshme, ndërsa vetëm gjatë vitit të fundit në shënjestër kanë qenë mbi 50 ndeshje të kampionatit shqiptar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›