E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trukimi i ndeshjeve , Prokuroria bashkëpunim me UEFA-n

TIRANË- Prokuroria shqiptare do të bashkëpunojë me UEFA-n për të luftuar fenomenet negative në futboll. 

Zyra e shtypit në Prokurorinë e Përgjithshme bëri të ditur sot se, në mjediset e Prokurorisë së Përgjithshme u zhvillua një takim pune midis përfaqësuesit të UEFA-s, Pierre Cornu, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani dhe përfaqësuesve të Prokurorisë, Sokol Stojani, Drejtor i Drejtorisë së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Shkëlqim Hajdari, drejtues i Prokurorisë së Apelit Tiranë dhe kryetar i Shoqatës së Prokurorëve dhe Pandi Madhi, Sekretar i Përgjithshëm në Prokurorinë e Përgjithshme. 

Në këtë takim, i cili ishte me kërkesë të përfaqësueve të UEFA-s, u diskutua rreth shqetësimeve dhe dyshimeve për mundësitë e trukimit të ndeshjeve si dhe vendosja e kontakteve të bashkëpunimit në këtë drejtim. 

Cornu informoi se UEFA ka vendosur një sistem për deduktimin e të dhënave nga vende të ndryshme mbi rezultatet e ndeshjeve, çka përbën një indicie mbi të cilën mund të hetohet mbi mundësitë e ndeshjeve me rezultat të fiksuar. Ndaj në këtë kuadër, përfaqësuesi i UEFA-s, kërkoi mbështetjen e Prokurorisë Shqiptare si dhe përfshirjen e strukturave të tjera shtetërore për ta vlerësuar seriozisht këtë shqetësim. 

Nga ana e përfaqësuesve të Prokurorisë Shqiptare u theksua se nga ana e institucionit të akuzës do të ketë mbështetje të plotë dhe bashkëpunim për të luftuar këtë fenomen negativ. 

Në këtë aspekt, u pa me interes përdorimi i të dhënave të deduktimit që përdor UEFA për trukimin e ndeshjeve, të cilat mund të shfrytëzohen për hetim. Njëkohësisht, ne takim u vlerësua që të shihet mundësia për profilizimin e oficerëve të veçantë të policisë gjyqësore nëpërmjet trajnimeve dhe edukimit për parandalimin e ndeshjeve të trukuara.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›