E Shtunë, 31 Tetor 2026

Füle në Tiranë: Ndjej erën e ndryshimit, përmbyllni reformat

—-Nga Dorina Bilbili—-Tiranë- Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Füle ka nisur sot vizitën e tij zyrtare në Tiranë. Pas takimit me kryeministrin Berisha dy zyrtarët e lartë mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, ku zoti Fule tha se ka ardhur në Shqipëri për të parë drejt së ardhmes, që sipas tij është Bashkimi Europian.

‘Ashtu siç e kam thënë shumë herë jam i bindur se e ardhmja e Shqipërisë është BE-ja dhe kam besim të plotë në potencialin dhe kapacitetet e Shqipërisë për të përmbushur kriteret për në BE. Ritmi i ecurisë dhe progresi i Shqipërisë. Në këtë synim do të varet nga ecuria që do ketë Shqipëria sa i perket reformave kyçe…Në fakt e diskutuam këtë gjatë dhe jemi tërësisht dakort që duhet të ecim përpara sidomos me marrëveshjen politike të Nëntorit 2011′- tha Fule.

Sipas zotit Füle kryefjala e diskutimeve me kryeministrin Berisha ishte planin i veprimit për të adresuar kërkesat kyçe të BE-s. Si dhe për punën që duhet bërë për të arritur më shumë se marrëveshja e Nëntorit, ‘në mënyrë që- siç tha komisioneri- të sigurohemi që KE dhe shtetet e BE-së në fazen e dytë të jenë gendje të marrin një vendim të fortë që Shqipëria të vijojë më tej drejt integrimit’.

Zoti Füle shprehu kënaqësinë se gjatë diskutimit me zotin Berisha u ra dakort lidhur me dy çështje kryesore për këtë pikë. ‘E para kjo ka të bëjë me domosdoshmërinë dhe angazhimin e qeverisë nga një anë dhe të kreut të opozitës, Edi Rama për të përfunduar punën që duhet bërë për reformen zgjedhore dhe parlamentare që të përfundohet përprara se të fillojnë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Së dyti angazhimi i qeverisë dhe i kryeministrit që të sigurojmë se zgjedhja e presidentit të jetë një proces përmes negociatave’- tha komisioneri.

Lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri zoti Füle tha se nuk dëshiron të japë leksione por procesin e përmblodhi me këto kritere: ‘Unë nuk dëshiroj ta lë këtë rast të ikë pa ju thënë se është e rëndësishme zgjedhja e presidentit, që në zyrë të vijë dikush që pasqyron qartë fryme kushtetuese dhe të jetë dikush që të përfaqësojë unitetin e popullit shqiptar’.

I pyetur se përse Shqipërisë iu mohua statusi 2 vjet rradhazi kur është cilësuar si vend stabiliteti në rajon dhe nga ana tjetër Serbia mundi ta marrë zoti Füle u përgjigj se ky është një proces i bazuar në përmbushje kriteresh në të cilat Shqipëria në vitin 2011 s’pati ‘një rezultat të mirë’.

‘Por kjo s’do të thotë se fakti që KE s’ka rekomanduar dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë ne nuk vleresojmë rolin stabilizues të Shqipërisë në rajon. Dua ta përgëzoj në qëndrimin e saj të qartë kundër ekstremizmit dhe nacionalizmit në rajon. Por nga ana tjetër dua të them se viti 2011 sishte një vit i mirë sa i takon rezultateve që duhet të ketë Shqipëria për 12 rekomandimet.Por shoh erën e ndryshimit. Dhe shpresoj që ky shans të kthehet në realitet më vonë, gjatë këtij viti’- tha Füle.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë Berisha tha se pasi e njohu zotin Füle me zhvillimet për 12 rekomandimet e BE-së, zgjedhja e Presidentit të Republikës ishte tema tjetër pikante e takimit. ‘E sigurova se e konsideroj këtë një proces që duhet të kalojë me negociata, që duhet të respektojë plotësisht frymën e Kushtetuës, proces që ne do të angazhohemi në kohën e percaktuar nga Kushtetuta e vendit’. Duke nënvizuar se beson se gjithë këto muaj pune të përbashkët faktojnë se vendi po ecën përpara drejt integrimit. Sipas kryeministrit Berisha administrata shqiptare i ka të gjitha kapacitetet dhe aftësitë për të përmbushur kërkesat e BE-së, të cilat mund të vijnë duke u shtuar por që arritjet do të bazohen në meritë.

Füle takohet me Ramën, reformat kryefjala e takimit

Takimet në Shqipëri zoti Füle i nisi me kreun e opozitës, Edi Ramën, rreth orës 08:15 të mëngjesit të sotëm në selinë e PS-së në një takim që zgjati rreth 1 orë. Sipas zyrës për shtyp të PS-së kryesocialisti Rama: ‘…pasi shprehu vlerësimin për kontributin e rëndësishëm të Bashkimit Evropian për proceset integruese të Shqipërisë, e informoi Komisionerin për ecurinë e reformës parlamentare dhe zgjedhore, duke vënë në dukje rëndësinë e përfundimit të këtyre reformave brenda afateve të kërkuara’.

Ndër të tjera mësohet se lideri i PS-së rikonfirmoi angazhimin e Partisë Socialiste për të ofruar gjithë kontributin e saj për avancimin e axhendës evropiane të vendin tonë. Nga ana tjetër komisioneri Füle përgëzoi rolin konstruktiv që ka luajtur opozita për ecurinë e procesit të reformave duke marrë si shembull mënyrën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

Füle në Kuvend: Reformat, gjithpërfshirje dhe konsensus për suksesin e tyre

Komisioneri ashtu siç edhe ishte lajmëruar më herët mbajti një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë. Zoti Füle rivuri theksin në rëndësinë e reformave për ndezjen e dritës jeshile për Shqipërinë drejt Bashkimit Europian. ‘Për reformat kërkohet një përpjekje e vërtetë kombëtare për këtë synim kombëtar…’ Sipas zotit Füle integrimi evrpian është përgjigjja e duhur ndaj këtyre sfidave, siç është kriza ekonomike. Füle ka shtuar se vendet e rajonit përfshirë edhe Shqipërinë po bëjnë përparime të dukshme duke bërë një panoramë të ecurisë së vendit tonë që prej vitit 2009 kur u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me BE.

Duke bërë thirrje se progresi i mëtejshëm do të varet ‘së pari nga stabiliteti dhe qëndrueshmëria e dialogut mes forcave politike, nga aftësia juaj për të gjetur konsensus në Parlament, e di që është e vështirë por nga pervoja jonë e zgjerimit ka treguar se anëtarësëmi mund të bëhet vetëm kur ka konsesus për çështjet kyçe, së treti nga arritja e rezultateve konkrete në trajtimin me efikasitet të reformave të rëndësishme që lidhen me BE…dhe së katërti që Shqipëria ta përdorë mirë periudhën deri në raport progresin e Tetorit. Nuk ka kohë për të humbur’.

 4 pikat e rëndësishme sipas Füles:

1. Reforma Zgjedhore, 2. Roli që Parlamenti mund dhe duhet të luaj, 3. Sundimi i ligjit, 4. Të drejtat e njeriut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›