E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Trump betohet sot si President i SHBA-ve

UASHINGTON, 20 janar/ATSH/ Donald Trump do të marrë sot zyrtarisht detyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Trump do të betohet për herë të dytë si President amerikan.

Ceremonia e inaugurimit të Donald Trump do të mbahet rreth orës 18:00 sipas kohës tonë lokale.

Për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe motit të acartë, kjo ceremoni do të mbahet në ambient të mbyllur brenda Kapitolit. Kjo është hera e parë në 40 vitet e fundit që inaugurimi i Presidentit të SHBA bëhet në këtë formë, për shkak të temperaturave tepër të ulëta.

Një ditë para inaugurimit, Presidenti i zgjedhur Donald Trump mbajti fjalim përpara mbështetësve të tij në Uashington, ku theksoi se do të mbajë premtimet e tij sapo të marrë pushtetin.

Ai tha se do të vendosë kufizime të rrepta për imigracionin në ditën e tij të parë në detyrë, duke premtuar se do të përmbushë me shpejtësi premtimin kryesor të fushatës së tij.

Trump përsëriti zotimin e tij të fushatës për të ndërmarrë përpjekjen më të madhe të dëbimit në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Ishte fjalimi i tij i parë madhor në Uashington që nga fjalimi i tij më 6 janar 2021, para sulmit në Kapitol nga një turmë mbështetësish të tij.

Mijëra mbështetës të Presidentit të zgjedhur pritën në të ftohtë dhe shi për orë të tëra, për të marrë pjesë në tubimin e tij të fitores.

Zoti Trump ka thënë se do të falë shumë nga mbi 1500 personat e dënuar ose të akuzuar në lidhje me sulmin. Tubimi i së dielës i zotit Trump, së bashku me fjalimin e tij inaugurues të hënën, mund të përcaktojë tonin e mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Një burim me dijeni për planet e tij tha se siguria kufitare do të zërë një vend të rëndësishëm në urdhrat e parë ekzekutivë të zotit Trump të hënën, të cilat ka të ngjarë të përfshijnë klasifikimin e karteleve të drogës si “organizata të huaja terroriste”, si edhe shpalljen e një situate emergjence në kufirin SHBA-Meksikë.

Më herët të dielën, Trump hëngri mëngjes me senatorët republikanë amerikanë pranë Shtëpisë së Bardhë.

Më pas ai vendosi një kurorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit të dielën.

“Tubimi i Fitores për ta Bërë Amerikën Sërish Madhështore” filloi në orën 3 të pasdites në “Capital One Arena”, një stadium i brendshëm për lojërat e hokejit dhe basketbollit, si dhe një vend i caktuar për disa nga festimet e inaugurimit të së hënës, pas parashikimeve për mot të ftohtë të ashpër, që i shtynë zyrtarët të anulonin festimet e planifikuara në mjedise të hapura.

Donald Trump është Presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai pason në këtë detyrë Joe Bidenin. /VOA/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›