E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trupa e borxhlinjve

“Kosova Petrol” kishte mbushur me derivate xhipat e TMK-së sa herë ata kishin dashur. Por paratë për këto shpenzime kompania e Bedri Selmanit s’i pa kurrë. E kotë ishte edhe padia nëpër gjykata. Ato u refuzuan një pas një. Edhe tash kur kjo kompani paditi Ministrinë e FSK-së, Gjykata Komunale e hodhi poshtë atë me arsyetimin se FSK ligjërisht nuk është trashëgimtare e TMK-së

Kanë mundur të marrin borxhe dhe asnjëherë të mos i paguajnë ato. As me ligj huadhënësit e TMK-së nuk do të mundnin t’i bënin asgjë kësaj trupe e formuar menjëherë pas lufte si pasardhëse e UÇK-së. Kështu të paktën thuhet në disa vendime gjyqësore kur është fjala për disa borxhe që ish-TMK-ja ka lënë pas vetes. E shuar para pesë vjetësh kjo organizatë e quajtur si civile dhe humanitare prapa ka lënë shumë borxhe.

Një kompani derivateve TMK-ja i ka mbetur borxh gjysmë milioni euro. Trupat Mbrojtëse të Kosovës për tre vjet kanë marrë derivate në “Kosova Petrol” pronë e ish-deputetit të PDK-së, Bedri Selmani. Kjo kompani asnjëherë nuk i ka marrë paratë që TMK ia kishte borxh, shkruan gazeta Express.

Çështja ka shkuar edhe nëpër gjyqe, por gjykata gjithnjë ka gjetur arsyetime ku nuk obligohet kjo ish-organizatë që të paguajë borxhet. Së fundi padinë e “Kosova Petrol” e ka hedhur poshtë edhe Gjykata Komunale në Prishtinë, pasi kompania që e kishte furnizuar ish-TMK-në me derivate e ka paditur Ministrinë e FSK-së, duke konsideruar si trashëgimtare të saj.

“Kosova Petrol” e kishte paditur Ministrinë e FSK-së me kërkesën që kjo e fundit t’ia paguajë shumën prej 556 mijë e 707 euro e disa centë. Pala paditëse ka kërkuar që të paguhet ky borxh, pasi që nga viti 1999 kishte furnizuar me derivate Shtabin e Përgjithshëm të TMK-së, por paratë nuk ishin paguar asnjëherë nga SHP të TMK.

Në vitin 2002 kjo kompani nëpërmes një shkrese kishte kërkuar që të paguhet borxhi. Kur kjo nuk ishte bërë kompania e kishte paditur TMK-në në Gjykatën Ekonomike. Padia në atë kohë ishte hedhur poshtë me arsyetimin se TMK ishte themeluar nga UNMIK-u, dhe si e tillë kishte imunitet. Njëjtë kishte vepruar edhe Gjykata Supreme. Pas themelimit të FSK-së kompania ka paditur këtë institucion duke pretenduar se është pasardhëse juridike e TMK-së. Por gjykata komunale me gjyqtar Albert Zogjan e ka hedhur poshtë padinë e Kosova Petrol-it, pasi gjeti se FSK me asnjë ligj nuk është trashëgimtare e TMK-së. Po ashtu gjykata ka argumentuar vendimin e saj duke i paraqitur provat veç e veç.

Gjykata u dha të drejtë vendimeve të Gjykatës Ekonomike dhe asaj Supreme të vitit 2002 ku theksohet se nuk mund të paditet SHP i TMK-së, sepse është i mbikëqyrur nga UNMIK-u që gëzon imunitet nga procedurat gjyqësore.

Në vendimin e gjykatës, që mban datën 15 janar të këtij viti, thuhet se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mban asnjë përgjegjësi për Shtabin e Përgjithshëm të TMK-së, sepse me ligjin për FSK-në nuk është përcaktuar se kjo forcë ka kontinuitetin e TMK-së.

“FSK është themeluar nga autoritetet e Republikës së Kosovës si subjekt i veçantë dhe nuk është transformuar nga subjekti tjetër, TMK”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës. Në këtë kontest pala e paditur, Ministria e FSK-së nëpërmjet personit të autorizuar ka dhënë arsyet e veta në kundërshtim të padisë së Kosova Petrol, duke e quajtur si të pabazë për shkak të mungesës së legjitimitetit pasiv. Sipas Ministrisë së FSK-së ish-TMK është themeluar me rregullore të UNMIK-ut. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›