Trupi i Bejkos të martën në Tiranë, ceremonia mortore të mërkurën
Tiranë- Trupi i pajetë i të ndjerit Lirak Bejko, ish-të përndjekurit që humbi jetën tre ditë më parë në spitalin e Barit në Itali, do të vijë në Shqipëri ditën e martë.
Bashkëshortja e Lirak Bejkos, në një intervistë për News 24 bëri të ditur se ceremonia mortore e bashkëshortit të saj do të zhvillohet ditën e mërkurë.
Ndërsa shprehu dhimbjen për humbjen tragjike të bashkëshortit të saj, Edlira Bejko deklaroi se homazhet për nder të tij do të zhvillohen në Institutin e Ish-të Përndjekurve Politik, vetëm nëse arrihet konsensusi me drejtuesit e Institutit.
Ndërkaq, pas dreke Skënder Tufa depozitoi nëambjentet e presidencës një kërkesë për tëlejuar që homazhet për Lirak Bejkon të zhvillohen në ambjentet e Institutit të ish- të përndjekurve.
Lirak Bejko kishte afro 20 ditë që luftonte me vdekjen në një nga spitalet e Barit në Itali, derisa mëngjesin e ditës së premte, rreth orës 11:30 minuta, trupi i tij nuk i ka përballuar më dhimbjet.
Lirak Bejko ishte babai i dy vajzave, emri i të cilit u bë i njohur vetëm pas vetëflijimit, duke i vënë flakën vetes, gjatë grevës së urisë së ish-të përndjekurve, për të kërkuar dëmshpërblimin e viteve të burgut.
Prej disa javësh, Lirak Bejko qëndronte në terapi intensive në spitalin e Barit në Itali, ku u ishte nënshtruar katër operacioneve. Madje, sipas familjarëve të tij, pas operacionit të fundit Liraku nuk fliste më dhe pjesa e poshtme e trupit nuk përgjigjej më, gjendje që sa vinte dhe përkeqësohej derisa i mori atij edhe jetën. Menjëherë pas vdekjes së tij, janë lajmëruar të afërmit e Lirakut, të cilët janë ende të tronditur nga dhimbja e thellë për humbjen e të dashurit të tyre.
/IDEA/