Lushnje, makina përplaset me shtyllën, 2 të vdekur
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 04.00 të mëngjesit teksa fuoristrada ka dalë nga rruga me shpejtësi të madhe
LUSHNJE- Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në segmentin e autostradës Lushnje-Rrogozhinë dhe si pasojë kanë humbur jetën dy shtetas. Ngjarja fatale ka ndodhur rreth orës 04.00 në vendin e quajtur kthesa e Çollakut. Makina e tipit "Land Rover" me targa "TR 2903L" udhëtonte në drejtim të qytetit të Fierit. Ajo nuk ka mundur të kalonte kthesën e vdekjes, siç e quajnë drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë në këtë segment të autostradës e si pasojë është përplasur me një shtyllë. Dy viktimat e aksidentit të djeshëm janë Kristian Mici, 42-vjeç, nga Cërriku dhe Enis Sulejmani, 22 vjeç, nga Erseka.
Aksidenti
Burimet e policisë rrugore pohuan se makina ka qenë duke udhëtuar në autostradë dhe teksa i drejtohej kthesës ka dalë nga rruga në krahun e djathtë të drejtimit për në Fier. Ajopër rreth 100 metra ka marrë përpara çfarë ka gjetur dhe qëndrimi i fundit ka qenë një shtyllë betoni e rrjetit elektrik të linjës së ujësjellësit që furnizonte depot e ujit të Lushnjes. Automjeti është rrokullisur disa herë, ku në fillim ka shkatërruar një kioskë të improvizuar buzë autostradës, pastaj ka kapërcyer mbi disa kanale ujitëse duke u ndalur më në fund tek shtylla prej betoni. Të njëjtat burime të policisë thonë se përplasja e makinës me shtyllën ka qene fatale për dy shtetasit, të cilët nuk i rezistuan dot përplasjes sëmjetit dhe për këtë shkak humbën jetën.
Dëshmitarët
Ngjarjen e kanë përjetuar disa punonjës të elektrikut, të cilët kanë qenë aty në momentin kur ka ndodhur aksidenti. Sipas tyre në atë moment në autostradë ka pasur fare pak lëvizje automjetesh. Luftar Çela, me profesion elektricist, thotë se makina është parë të dalë nga autostrada duke u përplasur pastaj me disa objekte. "Pasi doli nga rruga kryesore, makina ka përshkuar një distance të gjatë në një terren të thyer dhe brenda pak sekondave ka mbërritur pranë një vitrine pllakash, fare pranë një kanali dhe u mbështet pas shtyllës së betonit. Mbas aksidentit tragjik u panë dy shtetasit që kishin vdekur nga ngjeshja e tapicerisë së makinës në shtyllën e betonit. Nga forca e madhe shtylla u shtrembërua, por pa rënë në tokë",- thanë dëshmitarët nga vendi i ngjarjes. Për ngjarjen në fjalë policia po heton në dy pista për të zbardhur tragjedinë ku humbën jetën dy shtetas. Sipas policisë, mendohet se drejtuesi i automjetit mund të ketë qenë në gjumë në kohën kur merrte kthesën në autostradë ndërsa shkaku tjetër mund të jetë shpejtësia jashtë normave të lejuar. Viktimat janë dërguar në morgun e spitalit të qytetit të Lushnjes për t'iu nënshtruar autopsisë.