E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët dhe të rriturit festojnë 1 Qershorin

Në kopshtet e kryeqytetit është festuar me prindër, gjyshër, motra dhe vëllezër, mes dhuratave dhe urimeve

Brohoritma të gëzueshme, si dhe të qeshura me zë të lartë, ishin detajet që të bënin përshtypje teksa kaloje pranë ndonjë kopshti apo çerdheje të kryeqytetit. 1 Qershori është Dita Botërore e Fëmijëve. Dje, më shumë se çdo ditë tjetër, ata kanë festuar dhe janë gëzuar nën shoqërinë e njëri-tjetrit, por edhe të prindërve apo gjyshërve, të cilët kanë qenë pjesëmarrës në festën që stafi i edukatorëve kishte rezervuar për ta. Shumë prej fëmijëve morën dhuratat që i kishin premtuar prindërit e tyre, por edhe kopshti, si shtëpia e tyre e dytë. Kjo festë përcolli emocione dhe urime të panumërta te të gjithë fëmijët shqiptarë. Atmosferë e mrekullueshme festive. Fytyrat e tyre të ngjanin me shkëlqimin e diellit të korrikut apo gushtit. Në kuadër të kësaj feste, Bashkia e Tiranës përuroi ngritjen e katër këndeve të reja me lojëra për fëmijët e kryeqytetit. Pjesë e këtij projekti është edhe këndi i ri i lojërave në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në dispozicion të të gjithë fëmijëve, me rastin e festës. Në përurimin e këtij mjedisi, që do të shërbejë për argëtimin, shoqërizimin, mirërritjen dhe zhvillimin e vogëlushëve, morën pjesë fëmijë dhe prindër. Krahas lojërave dhe aktivitetit fizik që ofroi ky kënd i ri lojërash, vogëlushët patën mundësi të argëtohen në shoqërinë e grupit të animatorëve “The Family International”. Ata kishin rezervuar për kënaqësinë e fëmijëve shqiptarë një sërë lojërash interaktive, shfaqje me kukullat e teatrit lëvizës, krijimin e konfigurimeve me tullumbace shumëngjyrëshe, si dhe realizimin e pikturave të ndryshme. “Duke u uruar 1 Qershorin të gjithë fëmijëve të kryeqytetit dhe po ashtu të gjithë prindërve, gjyshërve dhe gjysheve që sot janë pranë fëmijëve, u bëj me dije, se kënde lojërash si ky që po përurojmë sot, do të ndërtojmë edhe në një sërë hapësirash të tjera publike, jo vetëm në qendër por edhe në periferi për komunitetet e kryeqytetit”, tha kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama. Sipas tij, krahas qëllimit të Bashkisë së Tiranës për plotësimin e standardeve dhe për një zhvillim të plotë të fëmijëve, synohet që t’u sigurohet të vegjëlve por edhe prindërve, mundësia për argëtim e për të kaluar disa orë të këndshme së bashku gjatë ditës.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›