E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbora 1 metër, bllokohen 20 fshatra në Pogradec

POGRADEC - Dëbora që vazhdon të bjerë papushim ka sjellë situata të vështira në dy krahinat më të thella të rrethit të Pogradecit, atë të Mokrës dhe të Gorës.

Kryetarët e komunave të këtyre zonave thonë për gazetën se po përballen me vështirësi të shumta. Kreu i komunës së Velçanit, Ilir Mane, shprehet se në qendër të komunës dëbora ka kaluar mbi 70 cm, ndërkohë që në fshatrat më të thella, si: Bishnicë, Shpellë, Jollë, Senisht dëbora kalon mbi 1 metër trashësi dhe ato janë izoluar.

Por ai thotë se është tepër i shqetësuar për familjet e Mexhit, Mersin dhe Iljaz Elezit, të cilëve rrëshqitja e dheut u ka shkuar deri në themelet e shtëpive dhe janë në rrezik për jetën.

Mane thotë se u kanë siguruar shtëpi të tjera për t'i zhvendosur, por ata ende nuk kanë lëvizur sepse kanë problemin e kasolleve të bagëtive, por gjithsesi jeta e tyre është në rrezik. Anëtari i këshillit të komunës, Ramazan Rapçe, thotë se përveç dëborës ata rrezikohen nga kopetë e ujqërve që kanë zbritur nga malet përreth dhe sulmojnë bagëtitë e njerëzit që qarkullojnë në fshat.

E vështirë paraqitet gjendja edhe në komunën e Mokrës në Trebinjë. Kryetari i saj, Gjergji Buzo, na thotë për gazetën se Llënga, Hondishti, Çezma e madhe dhe Çezma e vogël janë prej disa ditësh të izoluara dhe dëbora ka shkuar mbi 80 cm.

Por situatë e vështirë është edhe në krahinën e thellë malore të Gorës. Kryetari i komunës së Dardhasit, Rushan Çela, thotë se prej disa ditësh qëndrojnë të izoluara fshatra, si: Osnati, Niça, Dërdusha, Lekasi dhe Grunjasi. "Fatmirësisht, - thotë ai, - nuk kemi pasur ndonjë problem shëndetësor, pasi trashësia e dëborës në këto fshatra kalon mbi 80 cm".

Moti i keq dhe dëbora kanë ndërprerë për më shumë se një orë qarkullimin rrugor në Qafë -Plloçë pasi shkarja e dheut spostoi rrugën nacionale Pogradec -Korçë. U desh që të hapet një shteg tjetër për të mos penguar qarkullimin e kësaj arterieje të rëndësishme, por vetëm me një kalim.

Makineri të rënda po gërryejnë anën tjetër të kodrës për të normalizuar qarkullimin e mjeteve në të dyja anët e rrugës. Probleme ka pasur me aksin rrugor Pogradec -Qafë -Thanë ku dëbora kalon mbi 35 cm dhe kalimi bëhet vetëm me zinxhirë dhe rruga është shumë e rrezikshme. B.Berberi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›