Kodi i ri Rrugor, sot hyn në fuqi dyfishimi i gjobave
Shoferët shqiptarët do të përballen që sot me masa të ashpra në rast të mosrespektimit të rregullave të qarkullimit.
Ndryshimet që i janë bërë Kodit Rrugor janë publikuar në fletoren zyrtare dhe do hyjnë në fuqi pikërisht sot, më datë 11 janar. Në total janë ndryshuar 38 nene, të cilat i përkasin kryesisht çështjes së gjobave. Nëse i bëjmë një analizë të gjitha ndryshimeve që i janë bërë Kodit Rrugor do të vëmë re se gjoba ka një tolerancë që përcaktohet nga kufiri minimal dhe ai maksimal. Ndryshimet ligjore kanë bërë që kufiri minimal i gjobës të dyfishohet, ndërsa ai maksimal të trefishohet.
Kështu nga data 11 janar 2012 gjoba më e vogël, ajo për mosvendosjen e rripit të sigurimit do të jetë një mijë lekë të reja nga 500 që është sot, ndërsa gjoba maksimale për shpejtësinë do të arrijë deri në 30 mijë lekë të reja për tejkalim të limitit të shpejtësisë.
Po çfarë përmbajnë konkretisht ndryshimet e bëra në Kodin Rrugor? Në përgjithësi ndryshimet parashikojnë një rritje të ndjeshme të gjobave me idenë e uljes së numrit të aksidenteve. Sipas hartuesve të ligjit, niveli i ri i gjobave synon uljen e numrit të aksidenteve në rrugët e Shqipërisë ndërsa ulja e diapazonit midis nivelit minimal dhe maksimal të gjobave synon të ulë nivelin e korrupsionit në radhët e forcave të Policisë së Shtetit. Në draftin e saj, Policia kërkonte katërfishimin e të gjitha gjobave aktuale. Por pas diskutimeve në parlament u vendos masa e sipërcituar.
Drejtuesit e automjeteve do të duhen të tregohen më të kujdesshëm edhe përkundrejt përdorimit të pijeve alkoolike. Me ndryshimet e reja, të gjithë ata që do të kapen nën efektin e lëndëve alkoolike apo të drogës do të përballen me gjoba tepër të rënda, dhe në disa raste edhe me heqje të lejes së drejtimit apo me burg. Përdoruesit e alkoolit do të ndahen në dy kategori. Në grupit e parë përfshihen ata të cilët janë nën ndikimin e alkoolit ku gjobat ndonëse dyfishohen, janë më të lehta. Ndërsa në grupin e dytë futen ata të cilët janë në gjendje të dehur. Me evidentimin e gjendjes së dehur, punonjësit e policisë do të autorizohen që të ndalojnë udhëtimin e mëtejshëm duke konfiskuar makinën. Edhe ata që mendojnë se do tia hedhin kollaj nga pagesa e gjobave, do të bëjnë mirë që të tregohen më të kujdesshëm pasi është hequr parashkrimi, çka do të thotë gjobat do i kenë për të gjithë jetën.
Kodi i ri Rrugor, patenta do të jetë me pikë
Ndryshimet në Kodin Rrugor bëjnë të detyrueshëm që brenda 18 muajve shqiptarët të kenë në duar një patentë të re, e cila do të funksionojë me sistem pikësh. Çdo drejtues mjeti do të ketë një sasi prej 20 pikësh dhe kur konstatohen shkelje të rregullave, mund të zbriten maksimumi deri 15 pikë. Pas kësaj njoftohet arkivi kombëtar, i cili automatikisht të shënon pikët e mbetura në patentë. Në rast të humbjes totale të pikëve, mbajtësi i lejedrejtimit duhet t’i nënshtrohet një provimi të kualifikimit teknik. Të njëjtit provimin duhet ti nënshtrohet mbajtësi i lejdrejtimit, qe pas njoftimit të shkeljes se parë që përfshin një humbje prej të paktën pesë pikësh, kryen e dy shkelje të tjera brenda dymbëdhjetë muajve nga data e shkeljes së parë, që kanë të bëjnë me shkurtim të paktën pesë pikësh secila. Në rast se mbajtësi i lejedrejtimit nuk do ti nënshtrohet verifikimeve te rinovimit të lejedrejimit, brenda tridhjetë ditëve nga njoftimi i vendimit për ta rinovuar atë, leja e drejtimit do të pezullohet pa afat, me akt të veçantë të zyrës respektive të arkivit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit rrugor.
