E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza e "Qemal Stafës": Papunësia 30%, në Tiranë 20 mijë të papunë

Numri i të papunëve në kryeqytetin shqiptar shkon në shifrat e 20 mijë personave. Fondacioni "Qemal Stafa", pranë Partisë Socialiste ka publikuar dje një studim për tregun e punës, papunësinë dhe punësimin. Aksion që vjen në vazhdën e hartimit të programit qeverisës së selisë rozë. Sipas relatorëve, disproporcioni midis rritjes ekonomike dhe punësimit në Shqipëri rezulton ende shumë më i theksuar se disproporcioni në nivel global. Fondacioni konstaton se nëse gjatë vitit 2006 ekonomia botërore shënoi një rritje rreth 5%, niveli global i papunësisë ishte rreth 6.3%. Ndërsa në Shqipëri, ky raport gjatë të njëjtës periudhë ishte 5 për qind me rreth 14 për qind, duke u mbështetur në shifrat zyrtare dhe 5 për qind me rreth 30%, duke u mbështetur në statistikat e burimeve alternative. Të majtët vlerësojnë se shtrohet nevoja urgjente e zhvillimit të politikave vizionare të punësimit, për të garantuar një ekuilibër më optimal midis rritjes ekonomike, rritjes së prodhimit dhe punësimit e papunësisë. Kjo, sipas tyre, kërkon orientimin e zhvillimit ekonomik drejt sektorëve prodhues dhe sektorëve rritja e të cilëve krijojnë më shumë vende pune, si turizmi, ndërtimi etj. Raporti vë re se rënia e punësimit në sektorin shtetëror nuk vjen si pasojë e thithjes së forcave të punës nga sektori privat, por nga shkurtimi i detyruar i vendeve të punës në ndërmarrjet e mëdha. Diskutuesit në tryezën e fondacionit "Qemal Stafa" mendojnë se numri i punëkërkuesve të papunë të moshave mbi 45 vjeç mbetet në nivele të larta dhe janë kryesisht përfituesit nga skemat e ndihmës ekonomike dhe pagesës së papunësisë. Mundësia për të punësuar nga kjo grupmoshë është shumë e vogël. Shkak vazhdon të jenë profesionet që ka ky grup, të cilat, ndryshe nga profesionet e reja, nuk u përgjigjen kërkesave të tregut të punës. 2 për qind e punëkërkueseve të papunë të regjistruar janë me arsim të lartë ku dominojnë arsimtarët, ekonomistët, agronomët, ushtarakët, inxhinierët gjeologë dhe të minierave. 11 për qind janë teknikë dhe specialist të mesëm: ndërtimi, autoservisi, konfeksionesh, ekonomistë të mesëm etj., 49% janë punëtorë: të bujqësisë, industrisë përpunuese, ndërtimit. Sakaq, 38 për qind janë pa profesion, kontingjente të ndihmës ekonomike dhe pjesëtarë të familjeve më në nevojë. Mundësia e punësimit nga kjo kategori është shumë e vogël. Në Qarkun e Dibrës, Kukësit, Shkodrës dhe Lezhës, niveli i papunësisë shkon në 24%, nivel shumë më i lartë se në çdo zonë tjetër të vendit. Rajoni i Durrësit, Korçës, Beratit dhe Elbasanit ka rreth 12.5% nivelin e papunësisë. Papunësia më e lartë paraqitet në Skrapar me 18.9%. Në Qarkun e Gjirokastrës, Vlorës dhe të Fierit, niveli i papunësisë shkon në 12%. Sa i takon rajonit të Tiranës, numërohen 20 mijë të papunë. Ndërsa 44.4% janë punëtorë të thjeshtë, 25.58% teknikë dhe specialistë afatmesëm, 25.25% pa profesion dhe 4.5% janë specialistë me arsim të lartë. D.Malaj

Papunësia dhe varfëria në vitin 2007

Qyteti Papunësia Varfëria

Berat 9.5% 12.5%

Kuçovë 16.2% 12.5%

Çorovodë.Pol 18.9% 12.2%

Peshkopi 15.5% 10%

Burrel 16.1% 17%

Bulqizë 16.9% 17%

Durrës 10.4% 12%

Krujë 13.6% 13%

Elbasan 14.9% 12%

Librazhd 4.5% 17%

Gramsh 15.7% 17%

Fier 12.7% 11%

Lushnjë 9.4% 12%

Ballsh 6.5% 11%

Gjirokastër. 10.1% 12%

Tep.Mema 15.3% 12%

Korçë 10.6% 12.5%

Pogradec 14.4% 12%

Kukës 27.2% 17%

Lezhë 10.4% 11%

Rrësh.Rubi 23.7% 13%

Shkodër 25.2% 13%

Tiranë 6.3% 8%

Kavajë 18.3% 11%

Vlorë 12.4% 11%

Sarandë 12.2% 11%


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›