E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Oferta ime e fundit për Ramën

Ilir Meta sfidoi dje Ramën, ndërsa i ofroi pakt për rivendosjen e aleancës. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim kërkoi nga grupi parlamentar socialist t‘i japë firmat për kalimin e ndryshimeve të Kushtetutës në referendum, duke ofruar konsensus për ndryshimin e sistemit zgjedhor në proporcional rajonal. "Le ta quajnë çështje të mbyllur sistemin që u miratua në Parlament", deklaroi Meta. Ai insistoi te shansi i fundit që po i jepet selisë rozë, ndërsa foli për shmangien e kësaj pike nga kalimi në referendum. "Ta quajmë të mbyllur, pavarësisht qëndrimeve tona parimore dhe të marrin guximin qytetar për të firmosur kërkesën për referendum", u shpreh Meta. Kjo, sipas tij, duhet bërë në mënyrë që populli shqiptar, që rrëzoi kërkesat e Partisë Demokratike në vitin 1994 dhe ai që votoi këtë Kushtetutë në vitin 1998, të ketë mundësi të shprehet në formë sovrane. Kjo, sqaroi Meta, do të ishte rruga e vetme që Edi Rama dhe deputetët e Partisë Socialiste që votuan pro neneve të puçit dhe çimentimit të Berishës si Kryeministër të shkarkojnë një pjesë të përgjegjësisë së madhe politike, morale dhe ligjore që mbajnë. Meta i ftoi socialistët të kontribuojnë, kështu që Kushtetuta të mbetet e paprekur, si për sa i takon rolit të Presidentit, ashtu edhe për shtyllat e funksionimit të shtetit ligjor. "Të parandalojnë çimentimin e Berishës si Kryeministër në mënyrë që ai si tensionist puçist të vazhdojë të mbajë peng të ardhmen e vendit, t‘i fyejë e shantazhojë 42 deputetë të PS-së, duke iu thënë se për ta rri edhe 40 vjet në pushtet", insistoi Meta. Ish-kryeministri vuri në dukje se orët që vijnë dhe pak ditët që na kanë mbetur para janë sfidë e madhe për këta deputetë dhe për Edi Ramën, që të tregojnë se nuk janë të kapur në mënyrë të pakthyeshme nga Sali Berisha. "Ky është maksimumi i tolerancës që Lëvizja Socialiste për Integrim mund të tregojë për hir të një çështjeje të madhe të mbrojtjes së rendit demokratik nga uzurpimi i një personi të vetëm që ka dhënë prova të marrëzive të tij antishtet. "Jo vetëm kur ishte në pushtet, por edhe kur ishte në opozitë dhe sulmonte institucionet. Nuk e meriton Shqipëria që të kapet në mënyrë kushtetuese nga Sali Ramë Berisha", nënvizoi Meta. Duke iu referuar sistemit zgjedhor, ai tha se e pranon ndonëse nuk është sistem i ndershëm. "Deputetët socialistë duhet të kenë kurajon të hedhin firmën që populli i ndershëm të thotë fjalën e tij për formën e shtetit, regjimit, sistemit dhe qeverisjes së vendit ku duam të jetojmë", sugjeroi Meta. Për kreun e LSI-së askush nuk i ka rekomanduar askujt që të ndryshojë thelbin e Kushtetutës, të qeverisjes, në mënyrë populiste, siç ka ndodhur para pak ditësh e pak orësh në Kuvend. Meta kujtoi se Kushtetuta e miratuar përmes referendumit ka pasur ekspertizën dhe miratimin e gjithë institucioneve ndërkombëtare. "Janë mashtrimet e Berishës dhe të kujtdo që përsërit atë se këto ndryshime na i kërkon NATO. Ata nuk e kanë pranuar qeverinë e Sali Gërdecit, pasi e kanë parë çfarë standardesh ka kjo qeveri. Ata pranuan territorin shqiptar dhe e ftuan për anëtarësim", u shpreh Meta. Ai shprehu besimin se socialistët e thjeshtë nuk kanë pasur mendim të njëjtë me deputetët që votuan ndryshimin e Kushtetutës. "Nëse deputetët e PS-së i kanë dhënë besën në mënyrë të pakthyeshme Sali besëprerit nuk është përgjegjësia jonë për identifikimin e tyre përfundimtar me Sali Berishën", theksoi Meta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›