E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Gërdeci, prokuroria të mos heshtë

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dje nga qeveria të zbardhë sa më parë tragjedinë e Gërdecit. Zëvendëskryetari Pëllumb Xhufi tha se politika e pazareve ka kërkuar ta mbysë me heshtje këtë ngjarje. "Duam të denoncojmë masat dhe dëmshpërblimet qesharake që qeveria e zotit Berisha u ka ofruar banorëve të masakruar dhe të traumatizuar të Gërdecit", tha Xhufi. Sipas tij, paratë që jep sot Berisha nuk mjaftojnë për të ngritur një kotec dhe jo më shtëpi apo biznese të dëmtuara nga kjo tragjedi. Për LSI-në është edhe më e rëndë situata kur gjithçka tashmë i është lënë në dorë kryetarit të Bashkisë së Vorës, i cili me gjithë përpjekjet e tij të vlerësueshme është braktisur nga qeveria, dhe është detyruar t‘u drejtohet shoqatave humanitare për të përballuar këtë situatë. "Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për inaktivitetin, mungesën e transparencës dhe për heshtjen që Prokuroria e Përgjithshme ka mbajtur gjithë kësaj periudhe 40-ditore pas tragjedisë së Gërdecit", vlerësoi Xhufi. Ndërsa konstatoi se akoma më keq kur në të vetmen dalje publike që kishte kryeprokurorja u shpreh se çështja hetimore është transferuar në të kundërtën, pikërisht drejt viktimave dhe meraku i saj ishte që të gjendet se kush ishte ai person që ndezi shkëndijën në Gërdec.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›