E Diel, 1 Nëntor 2026

Tryeza e pushtetit

Dorian Hitaj/Qytetar

-Sa të jetë e mundur do të luftohet në këtë vend që të gjithë politikanët të pasurohen?! Sa të jetë e mundur në këtë vend, do përpiqen burra, gra, fëmijë,OJQ-të, diplomatët, patriotët, biznesmenët, gjykatësit, prokurorët. Që të gjithë, të riciklojnë dhe të riciklohen në këtë dasëm alla shqiptare të quajtur politikë. Në këtë dasëm të madhe, në të cilën mospasja e skrupujve në drejtim të gjithçkaje publike, të bën të famshëm, të bëhen patriot, të bën president. Janë të ftuar të gjithë në këtë dasëm, janë të mirëpritur të gjithë ata, të cilët preferojnë të kenë një minierë në koncesion ku të mund të stërmundojnë minatorë, të tallen me ta, të vënë baste për ata që mund të rezistojnë më shumë nën tokë dhe mbi tokë me pagat mizerabël. Në këtë dasëm janë të mirëpritur të gjithë ata që janë qitës të mirë. Janë të mirëpritur ata që dinë të qëllojnë mbi socialistët kur protestojnë, demokratët kur protestojnë, republikanët kur protestojnë, gazetarët kur pasqyrojnë lajmin dhe mbi të gjitha, qitja lejohet mbicilindo, grua, burrë, fëmijë. Kjo është një dasëm alla shqiptare ku janë të mirëpritur të gjithë ata analistë të dashuruar me paratë që të mbllaçiten në sofrën e mjeruar të mendimit dhe opinionit që japin. Janë të mirëpritur në këtë dasëm të gjithë zullumqarët e ndërmarrjeve publike, ashtu të zhgabërryer siç qëndrojnë zyrave, të vinë dhe të hanë një copë mishi nga trupi i të mjerëve pensionistë që me gjak paguajnë faturat e tyre të energjisë, ujit të pijshëm.. Janë të mirëpritur edhe data që duan të bëhen kryetar bashkie, sepse siç e tha dhe një mendimtar i madh para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve: “Nuk ka rëndësi kush voton, rëndësi ka ai që numëron”. Jeni të mirëpritur të gjithë të hapni shampanjën në këtë dasëm, e cila bëhet çdo fundviti dhe të ngrini dolli për kombin tuaj, për mirëqenien e familjeve tuaja dhe për mirëqenien e familjeve të atyre që s’u kuptojnë. Për ata që se kuptojnë dashurinë që keni për çdo sofër të bashkëqytetarëve tuaj. Kjo dasëm është e madhe dhe ne këtu, në cep të saj, do ngremë dolli që asgjëkafshë mos t’iu hajë.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›