E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tryeza Berisha-Rama, te Presidenti nuk shkohet me kushte”

08/02/2010  Intervista e Mustafajt
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, tha se pozita dhe opozita në Shqipëri nuk duhet të venë parakushte kur është fjala për zgjidhjen e ngërçit politik me anë të institucionit të Presidentit. “Unë mendoj se Presidenti Topi është në pozitë të vështirë në këto rrethana, sepse ai gjendet i angazhuar për të zgjidhur një krizë përballë dy protagonistësh të cilët i vënë kushte. Nuk shkohet te Presidenti me kushte. Presidenti duhet të përcaktojë qartë nëse është në gjendje të ofrojë një strategji zgjidhjeje dhe mbi bazën e strategjisë që ofron Presidenti duhet të diskutojnë. Në qoftë se njëra palë shkon me idenë “...gjithçka veç hapjes së kutive” dhe pala tjetër me idenë “...gjithçka fillon me hapjen e kutive”, nuk e kuptoj se ku do të jetë roli i Presidentit. Te Presidenti nuk duhet shkuar me kushte”, tha Mustafaj. Ndërsa duke folur për marrëveshjen detare me Greqinë, Mustafaj thotë se Qeveria do të përfitojë nga kjo mundësi e re që i dha Gjykata Kushtetuese, për të negociuar një marrëveshje më të mirë. “Unë jam i besimit se në përgjithësi çdo marrëveshje, po të rinegociohet, bëhet më e mirë, d.m.th. nuk ka marrëveshje të përsosur dhe mundësia e rinegocimit është një shans që kjo marrëveshje të jetë më e mirë për të dyja palët, edhe për Shqipërinë dhe për Greqinë, pra Qeveria do të përfitojë nga kjo mundësi e re që i dha Gjykata Kushtetuese”, deklaroi ai. Lidhur me moszgjidhjen ende të kryesisë së Këshillit Kombëtar të PD-së, ish-kreu i diplomacisë, duke iu referuar statutit, tha se ai nuk parashikon afate.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›