E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza politike takohen Pacolli Thaci dhe Mustafa

Ambasadorët e vendeve të Kuintit kanë ulur bashkë në një tryezë Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa dhe Behgjet Pacollin, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën politike në vend.

Takimi është mbajtur në prani të përfaqësuesve ndërkombëtarë të cilët po bëjnë përpjekje që bashkarisht me liderët e Kosovës të tejkalohet ngërçi i krijuar për zgjedhjen e Presidentit. Partia më e madhe opozitare LDK ka vënë si kusht për arritjen e kompromisit mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në verën e vitit 2012 si dhe ndryshimin e Ligjit të Zgjedhor.
Por kjo kërkesë nuk ka gjetur përkrahje tek partitë e koalicionit.

Takimi nuk është konfirmuar zyrtarisht nga partitë pjesëmarrëse mirëpo sipas mediave ai është mbajtur në Ambasadën Amerikane në Prishtinë ku ka marrë pjesë edhe ambasadori Kristofer Dell. E përditshmja “Express” citon një diplomat perëndimor të ketë thënë se autoritetet vendase dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Prishtinë aktualisht nuk shohin zgjedhje tjetër të situatës, përveç zgjedhjeve të parakohshme.

Për të diskutuar për krizën e krijuar të martën pasdite është mbledhur edhe Partia Demokratike e Kosovës. Dështimi për të zgjedhur Presidentin dërgon vendin në zgjedhje të parakohshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›