Tryezë e përbashkët/ Basha refuzon, Berisha pranon ftesën e Bardhit

Kryetarët e Partisë Demokratike zyrtare dhe jozyrtare nuk janë shprehur në unison për ftesën e bërë nga Gazment Bardhi që dy grupet të ulen në tryezë për të koordinuar aksionin opozitar.
Takimi është thirrur për të martën (5 shtator), por kreu i PD-së, Lulzim Basha, e refuzoi ftesën në një dalje për mediet në hapje të sesionit parlamentar.
Z. Berisha e pa më pozitivisht një zhvillim të tillë.
“Përgjigjja është po, do marrim pjesë. Ne do të shkojmë aty dhe e konsiderojmë hap pozitiv. Ne i përgjigjemi pozitivisht ftesës,” u shpreh Berisha.
Në reagimin e tij, deputeti Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, tha se ftesa e tij është e sinqertë në të mirë të demokratëve dhe shqiptarëve.
Bardhi kundërshtoi një deklaratë të mëhershme të kryetarit Basha, i cili iu referua çështjes së konfliktit mes SHBA-së dhe paraardhësit Berisha dhe se rrjedhimisht një tryeze me atë të pranishëm do të ishte jostrategjike.
“Qëndrimi im në raport me partnerin strategjik të Partisë Demokratike, me SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe vendet e Bashkimit Europian ka qenë dhe mbetet i palëkundur. Gjatë këtyre ditëve kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët për situatën në të cilën ndodhet opozita.
Interesi i partnerëve strategjikë të Shqipërisë është që Shqipëria të ketë një opozitë të fortë. Kush mendon që qëndrimi i partnerëve tanë strategjikë është që opozita të jetë e copëzuar, jo e fortë, jofunksionale, gabon rëndë, sepse është duke e çuar vendin në një frymë joperëndimore. Nuk ka vend perëndimor që ka një opozitë jofunksionale, sepse kjo do të thotë dëm për interesin publik, do të thotë dëm për demokracinë në vend,” u shpreh Bardhi.
Partia Demokratike zyrtare përllogarit rreth 25 mijë anëtarë me të drejtë vote, sipas deklaratave zyrtare, nga 75 mijë që kanë qenë përpara se të krijohej krisja politike me ish-kryetarin historik të PD-së, z. Berisha.
Bardhi ka thënë se zgjedhjet e 29 korrikut që shpallën Bashën sërish Kryetar nuk janë legjitime. Në këtë kontekst, ai i ka konsideruar jolegjitime edhe vendimet vijuese, sikundër janë ato të Kryesisë apo të Kuvendit Kombëtar.
/rtsh.al/