Basha: Jo debat artificial me njëri-tjetrin, kryetarin e grupit do e delegoj

Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha, përsëriti të hënën (4 shtator) thirrjen që demokratët e çdo krahu politik të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të bëhen një zë opozitar në Kuvendin e Shqipërisë.
Deklarata e tij u bë para ndërtesës së Kuvendit, i cilit nisi sesion e ri plenar.
“Asnjë debat artificial apo edhe i natyrshëm me njëri-tjetrin nuk ndihmon në kauzën tonë. Beteja jonë është për qytetarët. Ne nuk jemi në këtë sallë të merremi me njëri-tjetrin. Duhet të punojmë dhe duhet t’u shërbejmë njerëzve, demokratëve dhe qytetarëve,” u shpreh Basha.
Nga dita e shtunë, PD-ja zyrtare ka miratuar një Statut të ri, i cili e njeh kryetarin Basha edhe si kreun e Grupit Parlamentar të partisë.
Ky pozicion është përfaqësuar deri tani nga deputeti demokrat, Gazment Bardhi, i cili edhe sot e quajti jolegjitim zëvendësimin e tij.
“Prej ditës së djeshme, me hyrjen në fuqi të statutit të Partisë Demokratike, janë marrë vendimet përkatëse, por për kureshtjen tuaj, dua ta deklaroj hapur që si kryetar i PD-së i ngarkuar nga Statuti edhe me detyrën e Kryetarit të Grupit Parlamentar, por edhe i autorizuar për ta deleguar këtë detyrë, kam ndërmend ta delegoj këtë detyrë te një nga nënkryetarët e zgjedhur sipas Statutit,” shtoi Basha.
Kryetari i demokratëve ftoi deputetët e partive simotra të shohin përtej interesave personale në betejën politike me qeverinë.
“Thirrja ime për çdo deputet, pas një kohe shumë të vështirë dhe shumë sfiduese për gjithsecilin në tërësi, është që tani të shohim përtej interesave personale, përtej anktheve dhe frikës që mund të ketë shkaktuar konflikti i ndezur në mënyrë të padrejtë nga një pjesë prej tyre, sepse në fund të fundit janë shprehur mbi 4 mijë delegatë të Partisë Demokratike dhe ata një fuqi reale në mbështetje të çdo veprimi të deputetëve të Partisë Demokratike dhe grupit të PD-së. Kjo është fuqi në të cilën duhet të mbështeten të gjithë deputetët e PD-së,” përfundoi Basha në deklaratën e shkurtër për mediet.
/rtsh.al/