Republika e Palaut njeh pavarësinë e Kosovës

Republika e Palaut ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Uashington, të ngarkuarit me punë, Avni Spahiut, i është dorëzuar të hënën letra e presidentit të Republikës së Palaut, Johanson Toribiong, për presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, me të cilën konfirmohet se ky vend ka njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. "Presidenti Toribiong, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës zyrtare të presidentit Sejdiu për njohjen e Kosovës shtet të pavarur dhe Sovran", theksohet në një komunikatë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. Republika e Palaut, gjendet në Oqeanin Paqësor, është vendi i 56-të që njeh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.