E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Po habisim botën

Ministri i Brendshem thote ne Kuvend se opinioni boteror eshte i mahnitur me Shqiperine ku siguria eshte aq e larte saqe qytetaret mund te udhetojne lirisht

Deputeti i PD-së dhe njëkohësisht ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka folur dje në Parlament për problemet e sigurisë në vend. Gjatë fjalës së tij, ai është shprehur se është “opinioni publik, ai që verifikon nëse siguria në vend është ulur apo rritur nga viti në vit”. Ndërsa fliste para parlamentarëve, ministri i Brendshëm ka renditur disa nga arritjet e dikasterit të tij dhe të qeverisë për krijimin e kësaj sigurie. “Siguria e qytetarëve shqiptarë ka të bëjë pikërisht me atë që sot, pas dy vjetësh e gjysmë të kësaj qeverisjeje, qytetarët shqiptarë nuk kanë aspak frikë të udhëtojnë ditën apo natën nga njëri cep në cepin tjetër të Shqipërisë. Dy vjet e gjysmë pas marrjes se pushtetit nga kjo mazhorancë dhe menaxhimit edhe të punëve të sigurisë nga kjo qeveri, biznesmenët shqiptarë nuk kanë frikë të merren me biznes, nuk kanë frikë se mos i rrëmben dikush, mund t’i ekzekutojë dikush, vetëm për faktin e eliminimit nga marrja me biznes”, theksoi ministri Nishani, ndërsa në Parlament është rikthyer sërish diskutimi rreth çështjes së Gërdecit. Sipas tij, niveli i lartë që ka siguria në vend dëshmohet edhe nga artikujt e gazetave dhe revistave prestigjioze, të cilat sipas tij, e paraqesin Shqipërinë si një vend tërheqës për turizmin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›