E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diveroli i shpëton Kongresit Amerikan

Efraim Diveroli dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë të tij pritet të dëshmojë gjatë javës së ardhshme

UASHINGTON - Axhenda e ngjeshur e Kongresit Amerikan, bëri që të shtyhet seanca dëgjimore për drejtuesit e kompanisë “AEY”, e cila akuzohet për mashtrimin e qeverisë amerikane me municionet që duhet të blinte në bazë të një kontrate prej 300 milionë dollarësh. Sipas raporteve nga mediat e huaja, rezulton se në seancën e djeshme duhet të dëshmonin para komisionit të reformave qeveritare të drejtuar nga Henry Waxman, tre drejtuesit e kompanisë “AEY”, mes të cilëve edhe presidenti i saj, 22-vjeçari Efraim Diveroli, i cili është në hetim për mashtrim. Së bashku me ta, ishin thirrur për të dëshmuar edhe zyrtare të Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Mbrojtjes, rreth faktit që një kompani me probleme serioze si “AEY”, ka përfituar kontrata qeveritare në shifrën 300 milionë dollarë vetëm gjatë vitit 2007. Kongresi Amerikan ende nuk ka përcaktuar një datë kur Diveroli dhe drejtuesit e tjerë të firmës “AEY” do të japin shpjegime për atë që në Amerikë quhet mashtrimi i madh. 22-vjeçari Efraim Diveroli është aktualisht nën hetim, sepse dyshohet se i ka shitur municione të vjetra kineze qeverisë amerikane, një pjesë të së cilave e ka marrë në Shqipëri nëpërmjet një kontrate me ndërmarrjen shtetërore “Meico”. Skandali u publikua pak javë më parë nga gazeta prestigjioze amerikane “New York Times”, e cila nëpërmjet një investigimi disamujor arriti të zbulojë se municionet që shkonin në Afganistan për llogari të qeverisë amerikane, ishin prodhim i vjetër kinez. Sipas gazetës, një pjesë të mirë të këtyre municioneve firma “AEY” i kishte marrë në Shqipëri, pasi kishte mundur të siguronte një kontratë me ndërmarrjen “Meico”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›