Tubimi festues i PD-së, pranë grews së PS-së
Simpatizanët e Partisë Demokratike dhe qytetarët ishin të lirë ta përshkonin përmes, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të arritur në sheshin “Nënë Tereza”, nga ku dëgjohej muzika që i ftonte për festë. Pak para mesditës, ishte e lehtë të shquaje mes grumbujve të njerëzve përpara godinës së Kryeministrisë, se kush protestonte dhe kush po shkonte për në festë. Ata që kishin vendosur që ditën e Punëtorëve të argëtoheshin, shquheshin nga veshjet e zgjedhura me kujdes, fëmijët që i shoqëronin, flamujt blu që mbanin në duar dhe nxitimi për të mos humbur koncertin e organizuar për ta. Por ndonëse ndryshimet mes atyre që po protestonin dhe atyre që do festonin, një fije e pakuptuar i mbante të lidhura palët, shfaqja e identitetit të tyre si shqiptarë. Të majtët dhe të djathtët, të papunët apo të punësuarit në administratë, nuk kishin harruar që më 1 Maj të mbanin pranë tyre flamuj, bluza, kapele me elementin kryesor kombëtar, flamurin kuqezi.
Batutat dhe tensionetRrugëtimi i një pjese qytetarësh që do festonte kalonte përmes çadrave ku deputetët dhe simpatizantët socialistë po zhvillonin grevën e tyre të urisë. “I sheh këta të pastrehët?! Edi Rama i paska sistemuar në qendër të Tiranës”, iu drejtua një qytetar bashkëshortes së tij, teksa ajo me fëmijët prej dore nxitonte për në festë. “Patjetër që i ka sistemuar mirë, ai me pallatet ka zaptuar gjithë Tiranën”, iu përgjigj qytetarit, një mesoburrë i panjohur për të, por që gjithashtu po shpejtonte hapat drejt sheshit. Një buzëqeshje mirëkuptimi u nda mes dy qytetarëve, në shenjë nënkuptimi se idetë e tyre përputheshin për atë që po ndodhte në bulevard. Por kalvari i qytetarëve që po shkonin në festë “ngriu” një çast, kur nga fundi i trotuarit, një sharje e revoltuar, iu drejtua dikujt në fillim të trotuarit. Të gjendur të papërgatitur në mes të këtij “lumi” sharjesh, hutimi i tyre i momentit u shoqërua me një vrull edhe më të madh nxitimi për të arritur sheshin sa më parë. “Nxito, se ka filluar të këndojë çiljeta”, iu drejtua një nënë, fëmijës që e tërhiqte prej dore, sikur të mos kishte dëgjuar asnjë nga ato sharje që u thanë.
Këngë dhe politikëMesdita e ngrohtë e 1 Majit u ndez edhe më shumë kur moderatorja e koncertit, anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, çiljeta Xhilaga, i lajmëroi mijëra qytetarët e mbledhur në shesh se vetë Kryeministri Berisha do t’i përshëndeste pas pak. Nën ritmet e muzikës, qytetarët këndonin, tundnin flamujt që mbanin në dorë dhe pankartat të cilat nuk ishin në përputhje me sfondin pranveror të skenës së koncertit. “Edi Rama, hajdut i PS-së dhe i Bashkisë së Tiranës”, ishte pankarta e një djali rreth 20 vjeç që festonte në shesh. Nga ana tjetër në shesh nuk munguan as thirrjet tradicionale kundra PS-së dhe lidershipit të saj, të cilat kulmuan kur në skenë u ngjit Kryeministri Berisha. I veshur vetëm me këmishë, larg protokollit zyrtar, kreu i demokratëve preferoi të bënte një përshëndetje të shkurtër për demokratët dhe gjithë shqiptarët, duke e mbajtur mikrofonin në dorë. Më pas i shoqëruar nga ovacionet e turmës, Berisha doli nga skena për të ndjekur koncertin përballë skenës, ku e prisnin dhe deputetët dhe ministrat e tij. I qeshur, Kryeministri mori në krahë një vajzë të vogël dhe duke e mësuar si t’i mbante dy gishtat larg, përshëndetën për disa minuta qytetarët e mbledhur përreth skenës. Dalja në skenë e grupit të mirënjohur “Elita 5” gjallëroi edhe më shumë qytetarët në shesh dhe Kryeministrin, i cili i përshëndeti me entuziazëm të plotë. Por Berisha shijoji vetëm dy këngë të grupit tetovar dhe vendosi të lërë mes brohoritjeve koncertin, duke marrë nga pas deputetët, ministrat dhe këshilltarët e mbledhur në shesh. Kënga e fushatës së zgjedhjeve të kaluara për demokratët, “Shqipëria po ndryshon”, përmbylli edhe festën e demokratëve dhe qytetarëve në shesh. Por drejt rrugës së tyre për në shtëpi, policia përmes kordonëve të saj kishte menduar t’i jepte fund përballjes së tyre me ata që protestonin, duke mos u lënë shteg për të parë më se ç’bëhej në çadrat e grevës.
#