Mbivendosjet në Farkë, hetim pas vitit 2005
Mbivendosjet e pronave në Farkë, në periferi të Tiranës, kanë filluar të “realizohen” pas vitit 2005, duke prekur qindra familje. Me një dëm të llogaritur miliona euro, prokuroria e kryeqytetit ka filluar një hetim të gjerë, duke bashkuar denoncimet e shumta të banorëve të zonës, por edhe të ish-pronarëve, të cilët pretendojnë se zyrtarë të komunës dhe hipoteka ka dhënë dy tituj pronësie për të njëjtën pronë apo truall. Në këtë zonë ka lulëzuar biznesi i ndërtimit, duke sjellë një “bum” kërkesash për prona. Pronarë dhe ish-pronarë të tunduar nga shumat e majme që mund të fitonin nga shitja i janë drejtuar komunës dhe zyrave të Hipotekës ndërsa kanë marrë një përgjigje të prerë se “prona nuk rezulton në emrin tuaj”. Burime nga njësia hetimore Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës thanë se nga këto abuzime me pronat private janë vënë nën hetim disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Komunës Farkë në periferi të Tiranës. Krahas Farkës, hetimet po përqendrohen edhe në Komunën Dajt dhe hetuesit dyshojnë se komunarët kanë dhënë tituj pronësie false në një sipërfaqe prej dhjetëra dynymësh me vlerë miliona euro. Skandali është denoncuar nga banorët e zonës, të cilët në përpjekje për të kryer procedura për tjetërsimin e truallit që zotërojnë kanë konstatuar në hipotekë se prona nuk ishte e tyre, por e dikujt tjetër. Nga hetimet e seksionit të Task-Forcës janë regjistruar dhjetëra kallëzime dhe rezulton se 487 familje në këto dy komuna janë prekur nga mbivendosjet e pronave. Pretendimet e banorëve po krahasohen me të dhënat në komunë, nga ku janë konstatuar dhjetëra parregullsi për titujt e pronësisë, ku disa banorë kanë tituj për të njëjtën pronë.
Dy ekspertizaBurime nga Prokuroria e Tiranës thanë se janë vënë nën hetim disa komunarë nën akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe të “mbivendosjes së pronave”. Sipas hetuesve të çështjes, dosja e Farkës ngjason me hetimet për mbivendosjet në Komunën e Kasharit, ku disa krerë vendorë të komunës u vunë në pranga për abuzime me dhënien e titujve të pronësisë. Por krahas drejtuesve vendorë të komunës, prokuroria dyshon se mbivendosjet e pronave janë bërë edhe me ndihmën e disa punonjësve të Hipotekës, të cilët kanë regjistruar një pronë dy herë. Burimet thonë se hetimet e mëtejshme mund të përcaktojnë personat e tjerë të përfshirë në këtë aferë, si dhe sipërfaqet e sakta të mbivendosura në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në afërsi të zonës së Dajtit, si dhe në zonat përreth Tiranës, të cilat janë mjaft të preferuara për biznesmenët. Mësohet se në Komunën e Farkës janë ndërtuar dhjetëra vila, ku disa pronarë kanë përfituar truall në bazë të mbivendosjes. Për këtë çështje ka folur edhe Kryeministri Berisha, i cili do të deklaronte se komunat kanë dhënë leje ndërtimi pa u miratuar më parë plani pjesor i zonës dhe kërkoi anulimin e këtyre lejeve. Vitet e fundit, kodrat e Tiranës kanë qenë të parapëlqyerat e ndërtuesve për të ndërtuar objektet e tyre. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës ekspertë të pavarur, kryesisht topografë, kanë shkuar në terren për të matur parcelat ku dyshohet se është mbivendosur prona. Në prokurori pritet të paraqiten dy ekspertiza, një për mbivendosjet në Komunën e Farkës, tjetra për mbivendosjet në Komunën Dajt.
HetimetZyrat e kadastrave në Komunat Farkë e Dajt, në periferi të Tiranës, janë verifikuar nga Task-Forca, në kuadër të hetimeve për mbivendosjet e pronave në këtë zonë. Hetues të kësaj njësie kanë materiale voluminoze në komuna në lidhje me titujt e pronësisë të dhëna nga zyrtarët vendorë. Me procesverbalet e sekuestrimit të dhëna nga Gjykata e Tiranës, hetuesit kanë marrë hartën e të gjithë komunës me pronat që dyshohet se janë mbivendosur. “Janë sekuestruar në zyrat e kadastrës në Farkë dhe Dajt dokumentet që vërtetojnë lëshimin e titujve të pronësisë të dhëna nga zyrtarët vendorë pas vitit 2005. Janë marrë të gjitha dokumentet që u nevojiten hetuesve të çështjes për të krijuar një dinamikë sa më të gjerë të këtyre abuzimeve”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Sipas tyre, pas analizës së dokumenteve do të vazhdohet me hapat e tjerë të hetimit, ku nuk mund të përjashtohen as arrestimet.
#