E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksamil, Inspektorati i Ndërtimit paralajmëron valë për prishjen e ndërtimeve

Në shënjestrën e parë të fadromave mbi 150 objekte që nuk rezultojnë në fotografimin satelitor

Ksamili, Manastiri dhe Berdeneshi kanë nisur t’i ndiejnë fare pranë “ethet” e shembjes së objekteve të ngritura pas ortofotos ose ato që nuk i përmban fotografimi ajror satelitor. Shenjat e para të kësaj “furtune” prishjesh të paralajmëruar, janë dhënë këto ditë, kur në qendër të qytezës së Ksamilit, në një stendë njoftimesh janë listuar një numër i madh objektesh, që do të “krihen” nga Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit. Për këtë janë duke vepruar në terren dy grupe pune. Punonjësit e kësaj strukture thanë se janë duke bashkëpunuar edhe me degën e këtij inspektorati në Sarandë, si dhe me inspektoratin vendor të Ksamilit. Ata treguan se janë duke ushtruar kontrolle në gjithë territorin administrativ që mbulon kjo komunë, si dhe zona përreth. Ajo që mësohet deri tani, është se të paktën 150 të tilla kanë rezultuar inekzistente në fotografimin ajror satelitor, të bërë deri më 14 prill të vitit 2007. Nga verifikimet e bëra në terren konstatohet se jo pak banorë të kësaj zone, kanë ndërtuar pas këtij afati, duke menduar se gjithçka do të legalizohej, pa e ditur se gjithçka që nuk pasqyron fotografimi satelitor, përjashtohet nga legalizimi dhe ato i pret vetëm shembja e sigurt. Mësohet se verifikimi mbyllet të dielën e 2 majit në Komunën e Ksamilit, për të vazhduar në Manastir e Berdenesh.

Të paktën 150 objekte kanë rezultuar pa identitet, gjë që është pranuar edhe nga komuna, pasi janë ballafaquar me fotografimin e kryer në afatin ligjor. Në këto raste banorëve u është lënë një afat kohor prej 10 ditësh për të bërë edhe vetë prishjet e mundshme, ndërkohë që po merren masa për të ndërhyrë struktura e specializuar pas këtij afati. Fundi i muajit maj do të jetë afati maksimal për objekte që janë ngritur pas mbylljes së afatit të vetëdeklarimit, që ka qenë 24 nëntori i vitit 2006. Pas tyre është radha e ndërhyrjes mbi shtesat e bëra në kate, anekse a verandave, duke tejkaluar atë që është vetëdeklaruar. Mes tyre ka edhe objekte që ekzistojnë të fotografuara, por pretenduesit e tyre nuk kanë aplikuar dhe nuk janë vetëdeklaruar, për shkak të mungesës së informacionit.
Specialistë të Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit thanë se ata janë të përjashtuar nga kjo fazë prishjesh. Po kështu, konfirmojnë se do të “kursehen” objektet e shërbimit turistik, që janë buzë detit në Ksamil, për shkak se ato janë ngritur me material të lehtësuar dhe janë të çmontueshme në mbyllje të sezonit. Ndërkohë që për të gjitha objektet e munguara në fotografimin satelitor, deklarohet se do të veprohet pa hezitim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›