E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Gati platforma, çfarë kërkon LMN

Dokumenti do të paraqitet në forume. Nëse vazhdohet bojkoti, kushtet tona për mazhorancën
Deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste kanë gati një platformë konkrete, të cilën do ta propozojnë në strukturat partiake. Këtë fakt e pohon një prej pesë deputetëve të LMN-së, Arben Malaj. Ky i fundit, në një intervistë për “Shqip”, thotë se dokumenti që do të bëhet së shpejti publik, do ti’ paraqitet forumeve të partisë, Kryesisë, grupit parlamentar, Asamblesë Kombëtare dhe po të jetë e nevojshme, edhe Kongresit. Duke e konceptuar platformën si një ftesë për debat, Malaj thotë se nuk janë në garë thjesht për t’u futur në Parlament si numra statistikorë apo thjesht bojkotues të bojkotit të forcës politike. Thelbi i platformës nënkupton bashkëpunim parlamentar për trekëndëshin Kushtetutë-Sistem Zgjedhor-Reforma Themelore Integruese. Nëse grupi parlamentar socialist do të insistojë te bojkoti, vijon Malaj, grupi kundër bojkotit dhe radikalizimit të PS-së do të kushtëzojë bashkëpunimin me mazhorancën pikërisht mbi këtë platformë.
Zoti Malaj, para pak ditësh, disa eksponentë të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS zhvilluan një takim në Bruksel me eurodeputetë. Pse munguat në këtë vizitë?
Kemi diskutuar kohë pas kohe me kolegët e PS-së për kostot e bojkotit. Kemi deklaruar që nuk jemi në një garë individuale se kush hyn i pari në Parlament. Kemi shpresuar dhe shpresojmë që forumet e PS do të përgjegjësohen mjaftueshëm, që të diskutojnë pa u lodhur dhe me shumë përgjegjësi sfidat e vështira të PS.
Ne kemi deklaruar që me faktorin ndërkombëtar në Shqipëri dhe në institucionet ndërkombëtare, PS duhet të diskutojë dhe duhet të bashkëpunojë për sfidat e vendit, ku roli i saj është i konsiderueshëm. Vizita e tre kolegëve në Bruksel nuk ishte për t’u ankuar për zhvillimet në PS, por për të diskutuar me kolegët tanë socialistë në strukturat e PSE për zhvillimet e vështira politike në vend dhe për pasojat negative që ka bojkoti ynë dhe radikalizimi i mëtejshëm i PS-së mbi misionin dhe të ardhmen politike të PS. Kemi qëndrim unik për faktin që qeveria ka dështuar në realizimin e zgjedhjeve me standarde europiane dhe ky është dështim i mazhorancës që e përcaktoi si objektivin e saj strategjike dhe që kishte organizimin e gjithë procesit zgjedhor. Pa diskutim jemi unik në qëndrimin kundër bojkotit dhe njerëzit duhet të lexojnë mesazhin që ne po japim në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe transparente me publikun.
A është e përçarë Lëvizja për Mendimin Ndryshe në strategjinë e saj për të bindur grupin socialist të hyjë në Kuvend?
Jo. Jemi unik në qëndrimin tonë kundër bojkotit, kemi diskutime të përgjegjshme midis nesh për hapat konkrete politike dhe parlamentare që jo thjesht na mbajnë ne në faqet e para të gazetave apo në lajmet televizive, por e ndihmojnë kohezionin brenda PS-së, e bëjnë PS-në më të dobishme dhe të domosdoshme në sfidat e vendit tonë. Pra po diskutojmë për një platformë konkrete, e cila duhet të jetë publike, duhet të kërkojmë mbledhjen e forumeve të PS, kryesisë, grupin parlamentar, AK dhe po qe e nevojshme edhe të një kongresi të jashtëzakonshëm për sfidat tona. PS nuk mund të jetë një parti thjesht bojkotuese, PS nuk mund të funksionojë si një parti jashtë institucioneve, PS duhet orientuar drejt modernizimit të saj, edhe pse kjo fillimisht mund të duket rruga më e vështirë qoftë edhe më e gjatë, se thjesht mbijetesa nëpërmjet krizave politike apo ekonomike. Së bashku me kolegët, ne po i diskutojmë këta elementë përbërës të një platforme publike. Le të jetë një ftesë për debat, le të jetë një mundësi për të ndalur qëndrimet kategorike, autoritare dhe bojkotuese. Ne nuk jemi në garë thjesht për t’u futur në Parlament si numra statistikorë apo thjesht bojkotues të bojkotit të forcës sonë politike, ne nuk mund të jemi në Parlament thjesht për të bërë grindavecin politik, por të futemi me një platformë për përmirësimet e domosdoshme ndoshta që nga Kushtetuta e vendit, sistemi zgjedhor dhe reformat integruese të vendit.
Këto propozime do të jenë së afërmi në publik, që cilido që shqetësohet realisht për përkeqësimin e funksionimit demokratik të vendit, për përkeqësimin e qeverisjes së vendit dhe për deformimet në demokracinë e brendshme të partive kryesore politike, të japë kontributin e vet për t’i plotësuar e përmirësuar. Në vazhdim, nëse grupi parlamentar i PS, instanca më e rëndësishme në vendimmarrjen politike për largimin nga rruga e bojkotit nuk shkon unik në Parlament, ne, grupi kundër bojkotit dhe radikalizimit të PS-së, fillimisht do të kushtëzojmë bashkëpunimin parlamentar për reformat integruese në trekëndëshin Kushtetutë -Sistem Zgjedhor-Reforma Themelore Integruese të vendit. Në rast të kundërt dhe nëse qëndrimet radikale të një pjese të lidershipit të PS pengojnë hyrjen në Kuvend të grupit parlamentar të PS-së, janë të gjitha gjasat që mazhoranca të thellojë gjithnjë e më shumë qëndrimet abuzuese me pushtetin, duke dështuar përballë sfidave të vendit, d.m.th ky qëndrim të prodhojë një kosto që shprehet në vonesat në integrimin europian dhe përkeqësimin e qeverisjes së vendit.
Tre deputetët në Bruksel patën takime edhe me ata që njihen si "avokatë" të mazhorancës, siç është znj. Doris Pack. Si i komentoni mesazhet që përcollën takimet e kolegëve tuaj?
Më vjen shumë keq për frymën që po krijohet në politikën shqiptare dhe më vjen shumë keq për fotokopjon e keqe që bëjnë disa kolegë drejtues të PS për të etiketuar negativisht çdo politikan shqiptar që takon politikanë të Brukselit apo diplomatë, sepse ata kanë kritikuar PS apo i shërbejnë Berishës.
Kam punuar me zonjën Pack, kur kam përfaqësuar Parlamentin e vendit tim në takimet periodike midis deputetëve tanë dhe Komisionit të Parlamentit Europian për Ballkanin. Ndjek qëndrimet e znj. Pack për mbështetjen e integrimit të Kosovës, ndjek qëndrimin e saj kritik ndaj Beogradit për Kosovën, kam parë nga afër bashkëpunimin e saj me një nga personalitetet e së majtës evropiane, z. Swoboda, etj. Në angazhimet e mia politike kam mirëkuptuar çdo vërejtje apo kritikë edhe publike të qeverisë amerikane, të përfaqësuesve të Brukselit, BB, FMN dhe çdo institucioni tjetër për atë që vendi im, apo forca ime politike, duhet të bënte apo duhet të bëjë më mirë që sa më parë dhe sa më cilësisht vendi im dhe gjithë shqiptarët të ndjeheshin realisht jo vetëm pjesë gjeografike e Europës moderne. Politikanët shqiptarë të çdo force politike duhet të takojnë çdo politikan, pavarësisht se kujt spektri partiak i përket dhe pavarësisht se është kritike ndaj PS, PD, qeverisë, Parlamentit apo gjyqësorit të vendit tonë. Mbështetja unike e SHBA dhe BE për anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe hapat integrues në BE meritojnë mirënjohjen tonë ndaj tyre dhe nxisin detyrimin tonë për t’i takuar, edhe kur jemi në funksione përfaqësuese, si dhe kur nuk jemi të tillë, për të diskutuar në mënyrë të hapur dhe për të bashkëpunuar me durim për gjithçka që politika shqiptare duhet të bëjë më mirë në Shqipëri dhe në zhvillimet rajonale. Përvojat tona politike në bashkëpunimin me ndërkombëtaret, të krijuara përmes përfaqësimit në ekzekutiv e në Kuvendin e Shqipërisë janë një aset i rëndësishëm që duhet vënë në shërbim të vendit në radhë të parë dhe çdo takim nga kushdo qoftë duhet lexuar në këtë optikë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›