E Diel, 1 Nëntor 2026

Tumoret në tru, vdekjet brenda 5 vjetëve

Regjistrohen 400 raste të reja në vit. Mjekët: Shkaktarët kryesorë janë ndotja e ambientit dhe duhanpirja

Personat e prekur nga tumoret në sistemin nervor nuk mund të jetojnë më shumë se 5 vjet. Sipas mjekëve neurolog, shumica e shqiptarëve me tumor në tru, vdesin brenda 5 vjetësh, ndaj ata bëjnë apel për t’u ekzaminuar në kohë. Kjo e dhënë tronditëse është raportuar dje, nga presidentja e Shoqatës së Neurologjisë, Mira Rakacolli, në konferencën e parë mbi neuro-onkologjinë në ditët e sotme, ku është folur edhe për metodat e reja të diagnostikimit të tumoreve të trurit, si dhe çështje të tjera që kanë lidhje me këtë sëmundje. Sipas mjekes neurologe, Mira Rakacolli, në vendin tonë mungon kultura shëndetësore dhe kjo është problematike, pasi teknologjia moderne dhe stafet e specializuara nuk mungojë. “Ne e llogarisim mortalitetin me ata që jetojnë nën 5 vjet dhe faktikisht nën 5 vjet me tumorët e trurit është shumica”, - thotë Rakacolli. Në konferencën e djeshme, ku kanë marrë pjesë mjekë neurologë, radiologë, neurokirugë dhe onkologë është theksuar diagnostikimi i shpejtë i tumoreve në sistemin nervor, me qëllim për të ulur numrin e vdekshmërisë dhe për të rritur cilësinë e jetës së pacientit, falë teknologjisë së mbërritur në pavijonin e këtyre sëmundjeve. “Shenjat me të cilat prezantohen tumoret janë shumë më të ndryshme dhe shumë më të shpeshta se sa dhimbjet e kokës. Nëse 90% e njerëzve vuajnë nga dhimbjet e kokës, vetëm 10% e kanë këtë shenjë si pasojë e tumorit. Shenjat më të shpeshta janë ndryshimet e karakterit, krizat epileptike, mpirjet, rëndimet, çrregullimet e ekuilibrit, shikimet dysh, të cilat janë shenja më specifike neurologjike”, - shpjegon presidentja e Shoqatës së Neurologjisë, Mira Rakacolli. Niveli i lartë i ndotjes së ambientit ku jetojmë si dhe duhanpirja llogariten si ndër shkaktarët kryesorë të sëmundshmërisë së lartë të tumoreve. Diagnostikimi me aparatura moderne ka nxjerrë në pah se fundmi se kemi rreth 400 raste të reja në vit me tumore në sistemin nervor, çka i rendit këto sëmundje të dytat, për numrin e madh të vdekjeve pas sëmundjeve kardio-vaskulare. Shefi i Neurokirurgjisë në QSUT, Mentor Petrela, i bëri apel qyetarëve të mbrojnë mjedisin dhe të mos konsumojnë më duhan. Sipas tij, këta janë shkaktarët e vërtetuar edhe shkencërisht të rritjes së numrit të të diagnostikuarve me kancer. Neurologu, Mentor Petrela, u kërkon qytetarëve më shumë kudjes për shëndetin e tyre, të paktën të bëjnë një vizitë në vit tek mjeku për ata mbi 40 vjeç. “Ndotja e ambientit është një nga faktorët që sot është provuar dhe këtu futen të gjitha grimcat e ndotjes nga djegia e plastikës, hidrokarburet dhe duhanpirja. Ne si shoqëri duhet të reflektojmë për të marrë masat, nëpërmjet edukimit, duke nisur qe tek fëmijët”, - pohon Petrela. Në konferencën e djeshme për neuro-onkologjinë kanë marrë pjesë përveç mjekëve të njohur të kësaj fushe, edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili si dhe ambasadorja e Britanisë, Fiona Mc Fullan.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›