E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: Do të jem sërish Avokati i Popullit

Pas dhjetë vitesh në krye të këtij institucioni, Ermir Dobjani pretendon një mandat të tretë me mbështetjen e politikës

Në një email drejtuar vartësve të tij, ai shprehet se nuk organizon ceremoni ndarjeje pasi kërkon rizgjedhjen


TIRANË - Ermir Dobjani prej tri ditësh është larguar nga zyra e tij, por në një e-mail dërguar vartësve, është shprehur se do të rikthehet sërish në krye të institucionit të Avokatit të Popullit.


I larguar nga një detyrë që e kryente prej dhjetë vjetësh, Dobjani ia ka lënë vendin Riza Podës, si komisioneri më i vjetër në detyrë në institucionin që ai ka drejtuar, ndërsa u ka dërguar një email vartësve me premtimin e rikthimit në detyrë, ndërsa pret rikandidimin e vet.


Letra


Megjithëse ka drejtuar për dhjetë vjet rresht institucionin e Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani thuajse nuk është përshëndetur me asnjë nga vartësit e tij në mbyllje të mandatit të dytë. Ai ka preferuar t'u dërgojë një e-mail ku shpreh jo vetëm falënderimet për kohën e bashkëpunimit mes tyre, por edhe synimin e tij për të qenë sërish në krye të këtij institucioni.


"Duke qenë se unë do të kërkoj mbështetjen politike të nevojshme për rizgjedhjen time, e gjykova që të mos organizoj ceremoni ndarjeje me ju në këto momente, - thuhet në letrën elektronike që Dobjani u ka përcjellë vartësve të tij, ndërsa vazhdon:


- Por, po të mos rizgjidhem, një ceremoni të tillë do ta organizojmë me atë që do të zgjedhë Kuvendi në kohën e duhur". Pikërisht për shkak të mbështetjes së duhur politike, Dobjani nuk preferon të flasë edhe mbi përvojën e tij 10-vjeçare në krye të këtij institucioni.


E ndërsa zyrtarisht ende nuk ka mbërritur ndonjë propozim në Komisionin e Ligjeve, Dobjani ia ka lënë postin e tij komisionarit më të vjetër në detyrë, vendim i bazuar në nenin 9 të ligjit për "Avokatin e Popullit".


Në të thuhet se "Kuvendi zgjedh Avokatin e Popullit brenda një muaji nga mbarimi apo shkarkimi nga funksioni. Deri në zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit, si për rastet kur Avokati i Popullit është i pamundur të kryejë detyrat, funksionin e tij do ta kryejë komisioneri më i vjetër në detyrë".


"Me qëllimin e mirë që puna të vijojë normalisht dhe të mos ndihet mungesa e titullarit, gjykoj të jap disa porosi: Unë gjykoj se zoti Riza Poda, si komisioneri më i vjetër në detyrë, të ushtrojë detyrën e Avokatit të Popullit derisa të zgjidhet sipas Kushtetutës Avokati i ri.


Gjatë kryerjes së detyrës nga secili të zbatohet vetëm Kushtetuta dhe ligjet, si dhe Rregullorja e Brendshme e punës dhe Kodi Etik i Institucionit", - thuhet në emailin e dërguar ditë më parë punonjësve të Avokatit të Popullit nga Ermir Dobjani.


Ky i fundit u largua nga detyra e tij për shkak se në Kuvend nuk plotësohet numri prej 84 votash që i duhet miratimit të Avokatit të Popullit, kjo si pasojë e mungesës së opozitës. Ndërkohë, vetë Dobjani është shprehur se do të sigurojë votat e deputetëve të majtë dhe të djathtë për t'u rikthyer në një mandat të tretë në krye të institucionit të Avokatit të Popullit


Rusmali: Nuk ka mbërritur asnjë kandidaturë

Asnjë kandidaturë që të ketë bekimin e 28 anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë nuk ka mbërritur në Komisionin e Ligjeve. Të paktën këtë të thotë kreu i këtij komisioni, Ilir Rusmali. Përkundër asaj që thonë ekspertët e kësaj fushe, Rusmali bën me dije se nuk është në dijeni të praktikave që ndiqen në përzgjedhjen e kreut të ri të Avokatit të Popullit.


Kështu, sipas ekspertëve, propozimet me miratimin e 28 deputetëve të Kuvendit paraqiten në Komisionin e Ligjeve. Është pikërisht ky komision ai që verifikon propozimet për t'i paraqitur më pas në Kuvend për miratim.


Në bazë të ligjit për "Avokatin e Popullit", muajin e fundit të përfundimit të kreut të këtij institucioni nisin procedurat për përzgjedhjen e kreut të ri të Avokatit të Popullit për të cilin duhen 84 vota në parlament. Por mungesa e opozitës ka sjellë edhe amulli tek institucionet e shtetit shqiptar. Përzgjedhja e kreut të Avokatit të Popullit është pikërisht një nga pikat më të rëndësishme ku pozitës i duhet në parlament edhe prezenca e opozitës.


Por kriza që ka përfshirë politikën shqiptare është përcjellë tek shumë institucione dhe ndërsa ka përfunduar mandati i kreut të Avokatit të Popullit, asnjë procedurë nuk ka nisur për zgjedhjen e drejtuesit të ri të këtij institucioni.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›