E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti Europian: Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, pa viza

Parlamenti Europian ka miratuar dje rezolutën për heqjen e vizave për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, duke filluar që nga 19 dhjetori. Pritet që edhe për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën të ketë një përshpejtim të procedurave. Për këtë rezolutë, të paraqitur nga raportuesja e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon, ka votuar shumica e deputetëve. Rezoluta e Parlamentit Europian është konsultative dhe ka vlerën e rekomandimeve politike, ndërkaq vendimin përfundimtar pritet ta marrë Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian, deri më 30 nëntor. Fillimisht, Komisioni Europian pati propozuar që vizat të hiqen më 1 janar 2010, pavarësisht nga përmbushja e kritereve. Fajon tha se heqja e vizave për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë para afatit të paraparë është dhuratë për Krishtlindje qytetarëve të Ballkanit. Kjo ishte vota e fundit e Parlamentit Europian në lidhje me çështjen e liberalizimit të vizave me tre shtete në Ballkanin Perëndimor. Rezoluta e Parlamentit Europian është konsultative dhe ka vlerën e rekomandimeve politike. Tashmë fjalën e fundit e ka Këshilli i Ministrave të BE që mblidhet me 30 nëntor dhe 1 dhjetor.

Për Shqipërinë dhe Bosnjën, në rezolutën e Fajon, lihet e hapur mundësia që këto shtete të përfitojnë liberalizim vizash sapo të plotësojnë kushtet, pa caktuar afate. Komisioni Europian kishte propozuar që vizat të hiqen më 1 janar 2010, pavarësisht nga përmbushja e kritereve. Nuk dihet nëse data 19 dhjetor do të miratohet nga ministrat e Jashtëm dhe të Brendshëm të BE-së në takimin e 30 nëntorit. Pas liberalizimit të vizave, qytetarëve të Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi, u lihet hapësirë për udhëtim në 25 vende europiane me 500 milionë banorë dhe territor prej 4,3 milionë kilometra katrorë. Kjo, megjithatë, nuk do të thotë mundësi për qëndrim të pakufizuar apo punë në vendet e BE-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›