E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tanja Fajon viziton Tiranën

Europarlamentarja Tanja Fajon pritet të jetë në Shqipëri më datën 16 nëntor. Propozuesja e amendamentit për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën krahas Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi do të jetë e ftuar në një tryezë të organizuar nga Lëvizja Europiane në Tiranë. "Regjimi pa viza për Shqipërinë - Hapat e fundit", është tema e tryezës që do të zhvillohet me mbështetjen e veçantë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Kjo konferencë do të ofrojë mundësinë për të diskutuar mbi hapat e ndërmarrë nga autoritetet shqiptare për të përmbushur detyrimet e mbetura nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Qëllimi i kësaj konference është të identifikojë mënyrat se si mund të përshpejtohet ky proces, si nga autoritetet shqiptare ashtu edhe nga aktorë të tjerë në Bruksel, në mënyrë që shqiptarët të përfitojnë nga regjimi pa viza sa më shpejt të jetë e mundur. Të ftuar në këtë konferencë janë Ilir Meta, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Helmuth Lohan, shef i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, dhe Tanja Fajon, deputete e Parlamentit Europian. Pjesë e këtij paneli do të jetë edhe z. Abdulkadar Memedi, sekretar Shteti në Ministrinë Maqedonase të Punëve të Jashtme, i cili do të flasë mbi eksperiencën dhe përpjekjet e vendit të tij për të përfituar regjimin pa viza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›