E Diel, 1 Nëntor 2026

Turi i Berishës “Shqipëria po Ndryshon” mbërrin në jug si dhe në zonat ku jeton minoriteti grek

Potenciali i madh turistik i Ksamilit do të shfrytëzohet në mënyrën më racionale, në interesin e banorëve të saj dhe të pushuesve, theksoi sot kryeministri Berisha, i cili kujtoi se në Ksamil janë investuar 3.2 miliardë lekë, kundrejt 0 lekë të qeverisjes socialiste. Inspektim edhe në rrugën Qafë Botë – Sarandë dhe takim me minoritetin në fshatin Vrisera


Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në inaugurimin e shëtitores së Ksamilit, një investim prej rreth 1 milionë euro. Duke vlerësuar këtë investim të rëndësishëm, Kryeministri Berisha premtoi vëmendjen e plotë të qeverisë për zhvillimin e kësaj zone dhe shfrytëzimin sa më racional të potencialeve turistike të saj, duke përmendur këtu ndërtimin e një infrastrukture moderne, furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm, mbështetjen e fermerëve të zonës, subvencionimin për projektin e mbjelljes së çdo rrënje ulli, etj. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha, ndër të tjera, u shpreh: “Dua të uroj të gjithë qytetarët e Ksamilit, të kësaj perle turistike, për shëtitoren e re, një investim prej rreth 1 milionë euro. Ujësjellësi i Ksamilit është një investim tjetër prej 4 milionë euro. Investimet në tërësi në Ksamil, nga 0 lekë që kanë qenë në 8 vjet të qeverisjes së mëparshme, këtë vit janë 3.2 miliardë lekë, në rrugë, kanalizime dhe sistemime të tjera. Problemet e Ksamilit janë probleme shumë të rëndësishme për të gjithë vendin, sepse kjo bashki - pasi Ksamili do të bëhet Bashki- , ka një potencial të madh turistik, ka një vijë bregdetare pronë publike të bashkisë, e cila do të shfrytëzohet në mënyrën më racionale, në interesin e banorëve të Ksamilit dhe të pushuesve, do të ketë të gjithë infrastrukturën moderne, do të asfaltohet çdo skaj i territorit të bashkisë, do të ketë ujë të pijshëm 24 orë. Sikundër, dua t’i siguroj qytetarët e Ksamilit se qeveria do të subvencionojë pa kufizim, çdo rrënjë ulli që ata do të mbjellin. Ka mbetur problemi i ish punonjësve të Fermës këtu. Unë e çova ligjin në parlament, por ju e patë edhe vet se 2-3 deputetë “e drodhën” fjalën. Por ata nuk do të mund ta bëjnë më. Unë i siguroj edhe ata se ne do ta bëjmë ligjin. Unë i qëndroj plotësisht dekretit që kam bërë dikur dhe jam një njeri që nuk tërhiqem nga detyrimet e mia”. Kryeministri Berisha inspekton segmentin e parë të rrugës Qafë Botë - Sarandë Kryeministri Berisha inspektoi, sot në mesditë, vënien në shfrytëzim për mjetet të 7.5 kilometrave të segmentit të parë të rrugës Qafë Botë - Sarandë, nga fshati Shkallë deri në pikën doganore Qafë Bot. Investimi për ndërtimin e rrugës Qafë Botë - Sarandë kap vlerën 29 milionë euro dhe financohet 80 për qind nga qeveria greke, përmes një granti dhe, 20 për qind nga qeveria shqiptare. Rruga ka një gjatësi 40.5 kilometra dhe afati i përfundimit të punimeve është verë 2010. Kjo rrugë do të ketë gjithë elementët e një rruge të standardeve europiane dhe është gjithashtu një aks shumë i rëndësishëm që nxit shkëmbimet dhe lehtëson ndjeshëm qarkullimin e kësaj zone me pikën kufitare të Qafë Botës. Kryeministri Berisha u takua me drejtuesit e kompanisë ndërtuese dhe stafin teknik të saj, të cilët i përgëzoi për punën e bërë deri tani. Ai shprehu kënaqësinë për cilësinë tepër të lartë të punimeve dhe ritmet e shpejta të tyre. Gjithashtu, Kryeministri shfrytëzoi rastin për të shprehur falënderimet për ndihmën bujare të qeverisë greke dhe taksapaguesve grekë. Kryeministri u ndal në projektet rrugore të ndërmarra në këtë zonë, duke përmendur këtu ndërtimin e rrugës Kardhiq - Delvinë, ndërtimin e rrugës Tepelenë- Levan, zgjerimin e rrugës Delvinë - Sarandë, etj. “Qeveria është tërësisht e përkushtuar për rindërtimin e të gjithë infrastrukturës rrugore në Shqipëri. Para disa ditësh, inaugurova fillimin e punimeve për autostradën Shkodër- Podgoricë, ndërkohë që ne do të realizojmë ndërtimin me katër korsi të rrugës nga Shkodra në Vlorë. Qëllimi ynë është që të kompletojmë infrastrukturën rrugore të vendit”, u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha, takime entuziaste edhe në Vrisera, me banorë të Dropullit të Sipërm Kryeministri Berisha mori pjesë, sot paradite, në përurimin e ujësjellësit të fshatit Vrisera, në Dropullin e Sipërm. Më pas, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me qytetarë të kësaj zone. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Të dashur banorë të Vricerasë, të komunës Dropulli i sipërm! Së pari, ju shpreh kënaqësinë time për inaugurimin e ujësjellësit. Së dyti, dua t’ ju garantoj se, në katër vitet që vijnë, do të investojmë në këtë zonë për të asfaltuar të gjitha rrugët e saj, ku me sa shihet vetëm një ka mbetur, rruga e Koshovicës. Ne do të investojmë në furnizimin 24 orë me ujë në çdo familje dhe në çdo fshat të zonës suaj, por edhe të gjithë Shqipërisë. Projekti ynë, në katër vitet që vijnë, ka si qëllim më kryesor furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë të qytetarëve dhe vendosjen e tokave tuaja nën ujë. Ndaj ju garantoj se do të bëjmë përpjekjet më madhore që çdo pëllëmbë tokë e juaja të vaditet. Ky është një objektiv shumë madhor i qeverisë sime. Do të ndërmarrim ndërtimin e veprave të mëdha ujitëse në të katër anët e vendit, por edhe në këtë zonës, e cila ka një fushë shumë të mirë. Ne jemi të vendosur që gjatë katër viteve të vendosim tërësisht tokat nën ujë. Në dyfishuam pensionet tuaja dhe të të gjithë fermerëve shqiptarë. Hapi tjetër është barazimi i tyre me qytetin dhe ne do t’i rrisim ato, me qëllimin që këto pensione të parakalojnë ato të 6 vendeve të anëtarë te BE. Nuk mund të them se do të parakalojmë vendet më të zhvilluara të BE-së, por do të parakalojmë 6 vendet ish komuniste që kanë qenë shumë më të zhvilluar sesa Shqipëri. Katër vitet e ardhshme ne shpresojmë që, me investimet që do të bëjmë në infrastrukturë, në furnizimin me ujë, në investimet në sistemin e vaditjes, në klimën e shkëlqyer të biznesit, një pjesë e mirë e djemve dhe vajzave tuaja dhe të mbarë Shqipërisë, që janë nisur në emigracion, të rikthehen. Një pjesë tyre nuk kthehen, por vijnë shpesh e na vizitojnë, por ata të cilët dëshirojnë të kthehen, të mund të gjejnë vende pune dhe kushte për të ndërtuar jetën e tyre aty ku kanë lindur. Në këto katër vite, ne hapim rreth 160 mijë vende të reja pune. Deri tani janë 104 hidrocentrale, ndër të cilët edhe Suha, për të cilat kanë përfunduar kontratat për ndërtimin e tyre. Por kantieri më i madh pas këtyre, do të jetë Vjosa, që është tërësisht e gatshme për ta hedhur në treg, për ndërtimin e 8 hidrocentraleve. Në Gjirokastër do të përcaktojmë një zonë të lirë për ndërtimin e një Parku Industrial. Në fshatrat tuaja dhe në qytet ka një gjallërim të ndjeshëm të biznesit, prandaj ne do të krijojmë një Park Industrial, njësoj si në qytetet e tjera, ku do të ketë lehtësi infrastrukturore dhe lehtësi të tjera për suksesin e biznesit tuaj. Në 28 qershor, ju bëj thirrje të ftoni të gjithë fëmijët tuaj në Greqi që të vijnë në Shqipëri për të dhënë votën e tyre, për Shqipërinë evropiane. Sikundër, dua t’ju garantoj se unë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me të gjithë qeveritarët vendorë, sepse si kudo, edhe këtu, ne i kemi rritur disa herë investimet, krahasuar me vitet e mëparshme. Me zotin Spiro Ksera kam bashkëpunuar në mënyrë të shkëlqyer, sepse ai ka qenë një avokat i vërtetë i juaji. Thirrja ime është që ju të bëni një krahasim; ju keni pasur deputet Vangjel Tavon dhe keni pasur prefekt Spiro Kserën. Krahasoni se cila ka qenë periudha në të cilën qeveria është kujdesur më shumë për infrastrukturën tuaj, për ujësjellësit, kanalizimet pensionet e gjithçka tjetër. Bëjeni vet zgjedhjen. Jam i bindur se ju do të votoni për Spiro Kserën, sepse Vangjel Tavo, më shumë se interesat e Golës, nuk ka parë interesa të tjera. Ju këtë e keni vet parasysh. Sërish ai do të shkojë tek interesat e Golës. Prandaj, votat mos i jepni për Golën, por jepini për Spiro Kserën. Gjithashtu, edhe zoti Kosta Barka është një nga njerëzit më të mrekullueshëm, një nga zyrtarët më të mirë që unë kam njohur gjatë jetës sime, një njeri me moral shumë të lartë, me sens njerëzor shumë të fuqishëm dhe zyrtar shumë i përgjegjshëm. Unë e zëvendësova atë në kabinet me një kërkesë ultimative të Vangjel Dules dhe me një ndjenjë keqardhjeje. Më erdhi jashtëzakonisht mirë që ai u bashkua me ekipin tim dhe e kam mirëpritur këtë me shumë kënaqësi, pasi ai është një njeri shumë i çmuar, me virtyte morale, me aftësi, me dinjitet dhe integritet shumë të lartë. Ndaj dhe votat që do jepni edhe për Kostën, i jepni për zotin Ksera dhe Partinë Demokratike”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›