Meta: Të largojmë së bashku Berishën
BLEDAR HOTI
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, fton të gjithë faktorin e së majtës politike në një tryezë të rrumbullakët për të ndalur manipulimet në votimin e 28 qershorit. Kreu i LSI-së i ka dërguar një ftesë për t’u takuar liderëve partiakë të së majtës, Edi Ramës, Skënder Gjinushit, Paskal Milos dhe Petro Koçit për të diskutuar në lidhje me procesin zgjedhor që edhe 7 ditë është larg finishit. Në konferencën e djeshme për shtyp Meta bëri të ditur se një ftesë e ngjashme u është dërguar edhe faktorëve të rëndësishëm të së majtës si ish-kryesocialistit Fatos Nano, ish-presidentit Rexhep Meidani dhe Servet Pëllumbit. Takimi është parashikuar të zhvillohet të hënën në ora 12.00 në hotel “Tirana International”.
Letra
“I nderuar zoti Kryetar, zgjedhjet e 28 qershorit janë vendimtare për të sotme dhe të ardhmen e Shqipërisë. Rëndësia e këtyre zgjedhjeve është historike, në aspektin e plotësimit të standardeve si vend anëtar i NATO-s, por edhe në suksesin e integrimit të Shqipërisë në BE”, nis letra e Metës drejtuar drejtuesve të partive të majta. “Duke qenë se qeverisja aktuale nuk jep asnjë garanci për organizmin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, vlerësoj se sfida dhe përgjegjësia e opozitës dhe së majtës është më historike se kurrë. Objekti i saj i përbashkët, largimi i Sali Berishës, mund të realizohet në mënyrë të sigurt me përpjekje të përbashkëta dhe të gjithë faktorëve politikë të saj. Prandaj me këtë përgjegjësi politike ju ftoj në një takim ditën e hënë më 22 qershor”, shton kreu i LSI-së. Meta tha dje në konferencën e shtypit se: “Unë dhe LSI konsiderojmë se sfida dhe përgjegjësia e opozitës dhe të majtës progresiste është më historike se kurrë”. E cilëson këtë nismë një përpjekje për të gjetur një mënyrë bashkëpunimi mes partive të majta dhe forcave progresiste si në mënyrë të veçantë në ndikim të mbrojtjes së procesit zgjedhor në 28 qershor nga çdo manipulim dhe presion i mundshëm, në ndërprerjen e diversionit të forcave të majta dhe progresiste ndaj njëra-tjetrës, si dhe në krijimin e një fryme të besimit dhe të fitores në të gjithë elektoratin e majtë dhe progresistë. “Unë mirëpres angazhimin e të gjithë kontributeve të faktorëve të majtë, për arritjen e objektivit kryesor të këtyre zgjedhjeve, largimin e Qeverisë Berisha dhe njëkohësisht shërimin e menjëhershëm të gjithë këtyre pasojave të mëdha sociale dhe ekonomike përmes krijimit të një Qeverie të qëndrueshme të majtë dhe progresiste duke nisur nga agimi i 29 qershorit”, theksoi Meta. Lideri i LSI-së më pas komentuar dhe arsyet se pse në një letër të veçantë i është drejtuar dhe ish-kreut të PS-së. “Në radhë të parë thirrja ime i drejtohet Kryetarit të PS-së z. Rama, si kryetari i forcës politike më tradicionale. Së dyti, thirrja ime i drejtohet gjithë personaliteteve dhe figurave të tjera përfaqësuese, institucionale, por edhe tradicionale apo historike. Natyrisht thirrja ime i drejtohet edhe z. Nano, ashtu siç i drejtohet edhe z. Meidani, që është një figurë shumë e rëndësishme dhe faktorëve të tjerë, se janë faktorë të paneglizhueshëm, ndikimi i të cilëve dhe kontributi i të cilëve do të ishte veçse pozitiv për të ecur në një drejtim të përbashkët. Ky drejtim ka për qëllim krijimin e një fryme bashkëpunuese sa më të gjerë, për të mbrojtur procesin zgjedhor”, deklaroi Meta.