Rama: Na jepni votën të largojmë Berishën
Kryesocialisti ka vijuar takimet e fushatës elektorale në qarkun e Beratit. Takimin e parë Edi Rama e ka bërë në qytetin e Çorovodës ku është pritur nga banorët e kësaj zone. Kryesocialisti në këtë takim ka tërhequr vëmendjen e të gjithë kryetarëve të komunave atje ku ka fituar Partia Demokratike, duke iu thënë se të mbajnë duart larg nga vota e popullit. “Të gjithë ata pushtetarë, që do të shkelin ligjin dhe bëjnë presione votuesve, pas 28 qershorit do të paditen penalisht. Unë ju premtoj se, atë që nuk kanë bërë pushtetarët për 18 vjet unë do ta bëj për një vit, do të lidh Skraparin me Tre Urat për ta nxjerrë këtë rreth nga guaska, që e kanë futur të tjerët si të majtë dhe të djathtë. S’kam ardhur këtu, për t’ju ndarë, por për t’ju bashkuar”, tha Rama. Në takimin në qytetin e Beratit, kryesocialisti theksoi se fitorja e 28 qershorit do të ndryshojë Shqipërinë që prej 18 vjetësh është zhytur në një varfëri të madhe. “Berisha ka futur vendin në një varfëri të madhe në një analfabetizëm. Ai kërkon që të mos humbasë pushtetin e rëndomtë, por ne nuk do të durojmë më një pushtet të tillë. Ne pas fitores do të ndryshojmë qeverinë, do të integrojmë Shqipërinë në Evropë Ne një lagje prej 3 milionësh banorë jemi në mes të Evropës dhe atë nuk po e shijojmë, Shqipëria rrëzoi një diktaturë që prej vitesh e kishte izoluar Shqipërinë, por pas asaj rënie të diktaturës, një tjetër iu shtua Shqipërisë, prej 18 vjetësh nga Sali Berisha që ka izoluar Shqipërinë. U bënë 18 vjet, që shqiptarët emigrantë nuk vijnë dot në Shqipëri. Sali Berisha premton se do të heqë vizat, por Shqipëria ka mbetur e vetme, kjo nuk është për faj të Evropës por për faj të Berishës”, tha Rama. Më tej, ai shtoi se edhe 7 ditë mbeten nga ndarja e qeverisjes së vjetër e Berishës. “Ne së bashku do të ndërtojmë një shtet që garanton ujë dhe të sfidojmë politikën e vjetër që ka mbytur shqiptarët, si Beratin dhe gjithë Shqipërinë ky plak Sali Berisha. Sali Berisha po bën biznes për familjen e tij. Unë ju premtoj se me fitoren e Partisë Socialiste nuk do të ketë më kufij. Edhe 7 ditë mbetën, do të ndahemi nga politika e vjetër. Sali Berisha kërkon notën 10 për Gërdecin, 10 për qind e fëmijëve janë analfabetë, 40 për qind e sistemit shëndetësor në prapambetje. Na jepni votën të largohet Berisha”, ka thënë në këtë miting Rama. d.xh