E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, përfundon shtrimi i linjës 20 kilovolt

Burime zyrtare të Agjensisë së Shpërndarjes së Energjisë për Vlorën, thanë se pak ditë më parë përfundoi faza e dytë e këtij projekti, që parashikonte shtrimin e linjës kryesore në zonën periferike në ish fabrikën e çimentos dhe Ujin e Ftohtë, ndërkohë që, paralelisht me këtë u krye edhe riparimi i rrugëve të dëmtuara nga shtrirja e linjës. 

Punimet për zbatimin e projektit të shtrimit të linjës 20 kilovolt, nisën 3 vjet më parë. Faza e parë e projektit, me një kosto financiare prej 6 milionë USD, përfundoi 2 vjet më parë dhe gjatë saj, u realizua rindërtimi i rrjetit të shpërndarjes së energjisë në rreth 65 përqind të gjeografisë së qytetit të Vlorës.

Ndërkohë, punimet për fazën e dytë, me një vlerë prej 3 milionë USD, nisën në muajin mars të këtij viti. Ky është investimi më i rëndësishëm, që është realizuar ndonjëherë në sistemin e shpërndarjes së energjisë në qytetin e Vlorës. Me përfundimin e tij, konsumatorët e këtij qyteti integrohen në sistemin e shpërndarjes 20 kv, gjë që ndryshon plotësisht standardet e furnizimit me energji elektrike duke eleminuar pothuajse plotësisht, defektet në rrjet.

Rrjeti 20 kilovolt, zëvendëson atë me parametra 6 kv, i cili ishte plotësisht i amortizuar dhe i papërshtatshëm për nevojat në rritje për energji elektrike dhe standardet e furnizimit në qytetin e Vlorës. Efektet e tij janë reflektuar gjatë këtyre dy vjetëve kur janë ulur ndjeshëm edhe humbjet në rrjet, të cilat, aktualisht, llogariten në nivelin 33 përqind. Në qytetin e Vlorës, numërohen rreth 32 mijë konsumatorë të energjisë elektrike , të kategorisë familjarë e subjekte private.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›