E Martë, 3 Nëntor 2026

Turistët italianë zgjedhin Shqipërinë për pushime, ANSA: Arsyeja çmimet, në Itali 248 % më shtrenjtë

Turistët italianë kanë “pushtuar” bregdetin shqiptar këtë verë, ndërsa duket se arsyeja për këtë, mes të tjerash, janë edhe çmimet e ulëta. Kështu shkruan agjencia kryesore e lajmeve në Itali, ANSA, ku duke cituar të dhënat e Consumerismo No Profit, organizatë jofitmprurëse për mbrojtjen e konsumatorit, shkruan se çmimet në shtetin fqinjë janë 248% më shtrenjtë.

 “Për të fjetur 7 netë në një nga resortet bregdetare më të njohura të Shqipërisë, nga data 21 deri më 28 gusht në dhomë dyshe, kostoja minimale fillon nga 175 euro në Vlorë deri në 420 euro në Qeparo. Nëse zgjidhni strukturat luksoze, kostoja maksimale arrin në 5653 euro në Vlorë dhe 2300 euro në destinacionet e tjera shqiptare. Shifra janë shumë të ndryshme në Itali. Në të njëjtën javë një qëndrim fillon nga një minimum prej 564 euro në Milano Marittima, 735 euro në San Vito Lo Capo dhe 889 euro në Villasimius, por mund të arrijë, përsëri nëse zgjidhni struktura luksoze, 17,378 euro në Viareggio dhe mbi 15 mijë euro në Milano Marittima”, shkruan ANSA.

Po ashtu diferenca ka edhe në çmimet e ushqimeve, ku sipas ANSA-s një vakt i plotë me bazë peshku kushton mesatarisht midis 20 dhe 25 euro për person, kundrejt 45 deri 65 euro në Itali.

“Sigurisht që nuk është rastësi që ka një rënie prej 30% të pranisë së bashkatdhetarëve në resortet kryesore bregdetare të vendit tonë, ndërkohë që plazhet e Shqipërisë, Kroacisë dhe Spanjës janë pushtuar nga turistët italianë”, thotë presidenti i Consumerismo No Profit, Luigi Gabriel.

Janë gati gjysmë milion italianë, të cilët kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë për pushime apo biznes, ndërsa sot mbërriti në Vlorë edhe kryeministrja Giorgia Meloni.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›