Opozita: Jeta e deputetit Balla rrezikohet nga kryeministri Berisha
Shaban Sulçe
Opozita ka reaguar ashpër ndaj sulmit, fyerjeve dhe kërcënimeve të kryeministrit Berisha në dëm të deputetit të Partisë Socialiste Taulant Balla. Partitë e opozitës kanë deklaruar se kryeministri Berisha është kthyer në një kërcënim serioz për jetën e deputit Balla, duke e kërcënuar atë me vdekje. Madje përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar nga organet shtetërore, që të marrin në mbrojtje deputetin Balla, pas kërcënimeve primitive të kryeministrit Berisha.
Leskaj
Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste Valentina Leskaj tha se deputetët socialistë ndihen të dhunuar në mandatin e tyre, në një parlament ku ku gjuha rrugaçërore e artikuluar nga goja e kryeministrit të vendit kaloi ç’do kufi. Leskaj tha se Kryeministri Berisha shfaqi përpara përfaqësuesve të të gjithë shqiptarëve jo vetëm mungesën e plotë të respektit për ta, po më shumë se kaq, mungesën e plotë të kontrollit mbi instiktet primitive të urrejtjes dhe të hakmarrjes ndaj kundërshtarëve.
“Si grua e angazhuar për një politikë qytetare dhe emancipuese ndjehem shumë e tronditur dhe thellësisht e shqetësuar për faktin se Shqipëria qeveriset, jo vetëm nga një politikan krejt i paaftë, por edhe nga një person i c’ekuilibruar psikologjikisht që me shfaqjen e djeshme na tregoi fare hapur se përbën një rrezik shoqëror tepër serioz”, tha Leskaj. Kryetarja e grupit parlamentar socialist kërkoi nga instuticionet shtetërore që të marrin në mbrojtje deputetin Balla.
“Në këtë ditë të vështirë për të gjithë deputetët dhe pas kërcënimit me jetë që ju bë një deputeti të Partisë Socialiste, Grupi Parlamentar Socialist , e sheh të udhës t'i bëj një apel të gjithë qytetarëve shqiptare, qofshin socialistë, demokratë apo pa parti, që të dënojnë këtë shfaqje të ulët e të frikshme të papërgjegjshmërisë së kryeministrit tonë. Sot i drejtohemi zyrtarisht institucioneve që ngarkon ligji, për marrjen në mbrojtje të deputetit të kërcënuar direkt nga kryeministri i vendit”, deklaroi Leskaj.
Meta
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka dalë dje në mbrojtje të deputetit të Partisë Socialiste Taulant Balla. Meta tha se në rast se opozita do të ishte e bashkuar, Berisha jo vetëm që nuk do të guxonte të kërënonte deputetët, por do ishte vënë përpara organeve të drejtësisë. “Në rast se e gjithë opozita do të kishte qenë e qartë, në bllok dhe në një linjë me qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, sot do të ishte përpara drejtësisë dhe jo të qesëndiste deputetët e opozitës dje në Parlament dhe të tallej me tre milionë shqiptarë”, u shpreh Meta. Shqetësime ka shprehur edhe Partia Demokracia Sociale për incidentin e ndodhur midis kryeministrit Berisha dhe deputetit të PS-së Taulant Balla. Kryetari i PDS-së Paskal Milo dënoi sulmin e kryeministrit Berisha, duke e cilësuar atë të papërgjegjshëm dhe primitiv. “Është për të ardhur keq, kur dëgjon nga goja e kryeministrit fjalë banale dhe kërcënime primitive”, tha Milo.
23 Korrik 2008