E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni "Ndërtuesi", prokuroria verifikon dy pallate dhe një hotel

TIRANË- Prokuroria për Krime të Rënda në kryeqytet, me arrestimin e ndërtuesit Arben Veliko dhe bashkëpunëtorëve të tij, Dritan alias Orges Jahelezi, Panajot Dhiamandi, Sokol Kashta dhe Latimir Hoxha, kanë nisur verifikimet e pasurisë dhe pronave të tyre. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës, të cilët sqaruan se për disa të dyshuar tashmë janë identifikuar pronat e tyre.


"Nga hetimet dhe verifikimet e kryera rezulton se i dyshuari Arben Veliko, ka në pronësi dy pallate, një Hotel dhe një vilë luksoze në qytetin e Vlorës dhe ka në emër të tij dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes shuma të ndryshme parash në llogari bankare",-thuhet nga burimet e akuzës referuar shkresave të ardhura nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë e Tiranë.


Këto prona, po i nënshtrohen verifikimit të hollësishëm dhe pritet që në ditët në vazhdim të grumbullohet i gjithë materiali mbi bazë të të cilit do të fillohë edhe procedura e sekuestrimit në bazë të ligjit "Antimafia".


Gjithashtu, edhe për të dyshuarit e tjerë, Dritan alias Orges Jahelezi, Panajot Dhiamandi, Sokol Kashta dhe Latimir Hoxha, prokuroria ka kërkuar verifikimin e pasurisë, që mendohet se janë pronarë të bizneseve të ndryshme në qytetin e Vlorës dhe Fierit.


Të arrestuarit e pesë ditëve më parë, dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të "trafikut të lëndës narkotike" në bashkëpunim, duke dërguar nga Shqipëria në Itali sasinë prej 11.8 kg heroinë e sekuestruar në makinën e dy korrierëve Julian Kajdo dhe Eduart Toshkollari.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›