E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi, sektori më fitimprurës për shqiptarët

Kryeministri ka pasur sot një sërë takimesh në bashkinë e Himarës


Rikthimi në identitet i vlerave të trashëgimisë sonë kulturore mbeten një prioritet i mazhorancës edhe për këtë mandat qeverisës. Andaj në mesin e pikut të turizmit, shefi i qeverisë ka zbritur në jug të vendit, për të ndjekur më nga afër punimet që po kryhen në një prej kalave më të vjetra të vendit, atë të Himarës. Investimi i përbashkët i Komisionit Europian dhe qeverisë shqiptare kap një vlerë prej 1 milion euro, dhe parashikon ndërtimin e sistemit të kanalizimeve, rregullimin e rrugicave të kalldrëmit si dhe sistemin e ndriçimit. Për shefin e qeverisë, vëmendja ndaj kësaj trashëgimie si pjesë e pandashme e turizmit kulturor, meriton një përkushtim të veçantë. Kjo theksoi kryeministri Berisha, vjen si një domosdoshmëri në një kohë kur turizmi në vendin tonë është kthyer në një nga degët më të rëndësishme të ekonomisë, duke hedhur poshtë të gjitha parashikimet e mundshme për këtë sektor fitimprurës. "Të ardhurat nga turizmi janë sot, të ardhurat më të mëdha dhe që i shkojnë numrit më të madh të qytetarëve të këtij vendi, tha kryeministri Berisha. Gjatë vitit që kaloi dhe këtij viti, të marra sëbashku, turizmi u rrit me 60 për qind, ndërsa nga viti 2004 gjer në fund të vitit 2009, u rrit 10 herë, nga 300 mijë vizitorë që Shqipëria pati në vitin 2004, arriti në 3 milion në vitin 2009, por ky numër po rritet me shpejtësi këtë vit. Nga data 31 korrik deri më 8 gusht, në Shqipëri hynë 430 mijë vizitorë, pra, rreth 35 për qind më shumë, sesa në vitin 2004. Vetëm tunelin e rrugës Durrës-Morinë, këto 9 ditë e kanë kaluar në të dy drejtimet, 15 mijë qytetarë më shumë, se gjatë gjithë gushtit të kaluar. Statistika që unë mora sot (9.8.2010), deri në orën 17.00, dëshmojnë se nga 31 korriku gjer sot, kanë kaluar 408 mijë qytetarë, kundrejt 392 mijë që kanë kaluar vjet nga 31 korriku gjer më 30 gusht. Pra, ka një rritje të papërmbajtur, e cila ka edhe arsyet e veta". Këta tregues, tha shefi i qeverisë që kanë ardhur nga viti në vit drejt rritjes, kanë qenë të diktuara në mënyrë të veçantë edhe nga zhvillimi i infrastrukturës. Rruga e Kombit, infrastruktura moderne që të çon drejt brigjeve më të bukura të vendit dhe angazhimi i qeverisë për të vijuar më tej, me të tjera projekte, janë arsyet e rritjes së fluksit për këtë sezon veror të turistëve të huaj dhe vendas drejt brigjeve të Jonit. E në kundërpërgjigje të deklaratave që vijnë nga selia rozë, kryeministri Berisha i ftoi deputetët socialistë që të heqin dorë nga politika nihiliste dhe të pranojnë realitetin e një Shqipërie të ndryshuar. "Dua t’i ftoj zotërinjtë apo shokët e opozitës ta kritikojnë qeverinë, pasi kjo është detyra e tyre, por të mos mohojnë, sepse nihilizmi në Shqipëri ka një origjinë shumë të keqe. Nihilizmi në Shqipëri shkoi deri në mohimin e zotit. Të mos harrojnë kurrë këtë. Ky është realiteti. çfarëdo që të shprehësh ti, nuk mund ta ndryshosh këtë realitet. Himara është kjo, me të gjitha këto investime dhe infrastrukturë. Shqipëria është kjo, me të gjitha këto ndryshime. Por nihilizmi ka edhe një tjetër të keqe të madhe. Aq sa është mohimi, aq është edhe pasioni i sëmurë për të mohuar. Dhe ne, shqiptarët, e dimë mirë. Ajo është doktrina e manipulimit dhe nënshtrimit të njeriut, deri sa shkoi tek mohimi i Zotit, sepse Sekretari i Parë i Komitetit Qendror, ishte më i fuqishëm se Zoti. Ndaj unë i ftoj opozitarët të vizitojnë vendin e tyre, ta prekin realitetit. Ky realitet nuk kurrë rozë, nuk është kaq i purpurt, ka të gjitha arritjet e problematikat, por nihilizmi është absolutisht, mohimi i vetvetes në një farë mënyre, pasi çdo gjë që të bësh, realitetin nuk mund ta mohosh", tha Berisha. Kryeministri ka shpjeguar dhe arsyet se përse zgjodhi të mbante konferencën, pikërisht në këtë kështjellë, e rrallë sipas tij, për nga vlerat historike dhe lashtësinë që mbart. "Unë zgjodha këtë kështjellë për konferencën e shtypit jo rastësisht. Kjo është një nga kështjellat më vjetra të vendit, me fillime në shekullin e 4-ërt para Krishtërimit, e cila ka shërbyer në shekuj e mijëvjeçarë si një mburojë e pamposhtur e kombit shqiptar. Kujtoj këtu se pas rënies së Krujës, Gjon Kastrioti, djali i Skënderbeut, vendosi të bëjë mbrojtjen e trevave shqiptare nga kjo kështjellë. Por kështjella ka edhe diçka tjetër të mrekullueshme, këta qytetarë që banojnë në të. Shikoni si e kanë mbjellë në çdo cep e qoshe të saj, duke e shndërruar kështjellën në një kopsht të vërtetë, me mund sakrifica e vështirësi. Në këtë kështjellë po investohen rreth 1 milion euro, me Komisionin Europian dhe qeverinë shqiptare, sikundër po investohen dhe do investojmë në të gjitha kështjellat e vendit. Ne do të bëjmë çdo gjë që trashëgiminë e të parëve tanë ta konservojmë dhe zhvillojmë sa më shumë". Kryeministri Berisha gjatë vizitës në Kalanë e Himarës nuk ka harruar të përshëndesë të gjithë ata turistë që zgjodhën bregdetin shqiptar dhe Alpet e Malësisë për të kaluar pushimet verore, në Shqipëri, duke e kthyer vendin tonë në destinacionin e tyre më të preferuar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›