E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turneu i Presidentit Bush në Lindjen e Mesme

Presidenti Bush shkon sot në Izrael, ndalesa e parë kjo në turneun e tij të Lindjes së Mesme me ndalesa në Arabinë Saudite dhe Egjipt. Zoti Bush thotë se synimi i vizitës së tij është t'i shtyjë izraelitët dhe palestinezët më pranë një marrëveshje paqeje deri nga fundi i këtij viti, që do të rezultojë më në fund në krijimin e një shteti të qëndrueshëm demokratik palestinez. Që nga vizita e tij e fundit në rajon në janar, është rritur skepticizmi si në Izrael edhe në territoret palestineze rreth realizimit të këtij objektivi të presidentit Bush.

Ka kaluar më pak se një vit që kur zoti Bush mblodhi konferencën e Paqes në Lindjen e Mesme në Anapolis ku ai mori premtime si nga izraelitët edhe palestinezët për arritjen e një marrëveshjeje  deri në fund të këtij viti. Por që atëhere objektivi është ulur, në atë që sot quhet marrëveshje kornizë – që ndoshta do të përcaktojë kufijtë e ardhshëm të shtetit palestinez – por edhe ky objektiv duhet i largët.

Reuvan Hazan, profesor në Univesitetin Hebraik të Jeruzalemit thotë se zoti Bush mund të mos ketë kohë të mjaftueshme për të realizuar synimet e tij.

"Presidenti i Shteteve të Bashkuara mund të kërkojë të nxisë procesin përpara, por për këtë është pak vonë. Ai priti deri në vitin e fundit të mandatit të tij tetë vjeçar. Ai priti derisa republikanët humbën kontrollin në të dyja dhomat e kongresit dhe tani jemi në prag të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Kjo nuk është mënyra se si mund të ndryshosh realitetin në Lindjen e Mesme”.

Në territoret palestineze perspektiva është edhe më e zymtë. Këshilltarët e presidentit të moderuar palestinez Mahmoud Abbas, të njohur si Abu Mazen, kanë folur hapur për shpërndarjen e Autoritetit Palestinez për shkak të mungesës së përbarimit në bisedimet me izraelitët – një lëvizje që mund t'i jepte fund procesit të paqes që filloi 15 vjetë më parë në Oslo. Hani al-Masri, është një gazetar palestinez i cili drejton Qendrën e Medias Bada'el në Ramallah. Ai thotë se shumë palestinezë kanë filluar tani të besojnë se janë në gjendje më të keqe tani se para Konferencës së Anapolisit vitin e kaluar.

"Pas Annapolisit, shumë palestinezë mbështetën negociatat. Tani shumë palestinezë po i kërkojnë Abu Mazenit të ndalë këto negociata. Izraeli i ka përdorur  negociatat për të mbuluar agresionin ushtarak, për të shtuar vendbanimet etj. Ky nuk është një proces paqeje, është një proces pa paqe”.

Hani al-Masri thotë se pamundësia e zotit Abbas për të siguruar lëshime nga Izraeli në bisedimet e deri tanishme ka forcuar gjithashtu militantët e Hamasit që kontrollojnë Rripin e Gazës.

"Para konferencës së Annapolisit, Hamasi ishte shumë i dobët pasi hyri në Gaza. Por pas Anapolisit kur palestinezët nuk panë asnjë përparim, Hamasi është forcuar gjithnjë e më shumë”.

Në se zoti Abbas është dobësuar në pozitat e tij, të njëjtën gjë ka pësuar edhe kryeministri izraelit Ehud Olmert i cili përballet tani me akuza kriminale që mund t'i japin fund karrierës së tij politike, të ngritura nga një biznesmen amerikan i cili dha fonde në fushatat politike kur zoti Olmert ishte kryetari i bashkisë së Jeruzalemit.

Zoti Bush po shkon në festimet e 60 vjetorit të shtetit izraelit. Ai nuk ka në plan të udhëtojë në territoret palestineze ose edhe të takohet me zotin Abbas deri të shtunën kur të mblidhet takimi i nivelit të lartë në pikën turistike Sharm el-Sheikh në Egjipt. Palestinezët i kanë kritikuar planet e këtij turneu të presidentit por Reuvan Hazan thotë se izraelitët e shohin zotin Bush si një udhëheqës që ata mund ta besojnë dhe kjo i jep atij kapital politik që nuk e ka asnjë udhëheqës izraelit.

"Shumë izraelitë ende mbështesin presidentin Bush. Ata e shohin botën pak ndryshe nga të tjerët në Shtetet e Bashkuara, të paktën kur vjen puna për kërcënimet në Lindjen e Mesme; qoftë ky Iraku në të shkuarën apo Irani në të tashme; ngjarjet që po ndodhin në Liban; apo fakti që Hamasi po rrezikon Autoritetin Palestinez. Kështu që kur shohim një president që është gati të përdorë forcën e Shteteve të Bashkuara si një polic i botës, si udhëheqës i demokracisë, atëherë izraelitët e kuptojnë se ky udhëheqës është shumë i nevojshëm në këtë pjesë të botës”.

Dhe për këtë arsye zoti Bush do të marrë një mikëpritje të ngrohtë nga izraelitët. Një mikëpritje që mund të shndërrohet në një gadishmëri për t'iu përgjigjur thirrjes së zotit Bush për të marrë vendime të vështira gjatë muajve të ardhshëm para përfundimit të mandatit të tij, vendime që mund t'i sjellin të dyja palët më pranë një marrëveshjeje.   (ze) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›