Turpërohet Kampioni

Kampioni i Evropës, Inter, është turpëruar në shtëpi të martën mbrëma nga Schalke, e cila fitoi 5-2, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Tifozët Nerazzurrë janë zhgënjyer sërish, pas humbjes nga Milani, të shtunën që shkoi.
Gjermanët kanë shfaqur një ndeshje mjaft të pëlqyeshme, duke i bindur të gjithë se nuk janë befasi e këtij kompeticioni.
Dejan Stankovic e ka kaluar Interin në avantazh qysh në minutën e parë, kur realizoi nga mesi i fushës.
Udhëtuesit reaguan pas 16 minutash, me golin e Matip. Diego Milito i gëzoi tifozët në minutën e 32-të, për t’i kaluar vendësit në epërsi për herë të dytë. Por, duket se kjo ishte e tëra që mundën të bënin italianët.
Në vazhdim, çdo gjë foli gjermanisht. Sulmuesi Edu fillimisht e barazoi rezultatin, 5 minuta pa përfunduar pjesa e parë.
Legjenda spanjolle, Raul Gonzalez, tregoi se ende është gjallë, duke e kaluar Schalken në avantazh, 8 minuta pasi filloi pjesa e dytë. Vetëm 4 minuta më vonë, mbrojtësi Ranocchia shënoi pa dashje në golin e vetë, për ta ngritur epërsinë e mysafirëve.
Dhe, gjërat u përkeqësuan për mikpritësit edhe më tutje në minutën e 62-të kur mbrojtësi Chivu u ndëshkua me karton të kuq, pas dy të verdhëve, duke e lënë ekipin e tij me 10 lojtarë, njëjtë si në ndeshje me Milanin, katër ditë më parë, gjë që ishte e pamundshme që të kthehej rezultati.
Këtë fakt e shfrytëzuan për mrekulli gjermanët, që e paketuan fitoren e tyre mjaft të rëndësishme me golin e dytë të Edu, një çerek ore pa përfunduar takimi.
Me këtë fitore, Schalke e sheh veten me një këmbë në gjysmëfinale, kurse Nerazzurrët vetëm një mrekulli do t’i ndihmonte ta bëjnë një gjë të tillë.
Në ndeshjen tjetër, Real Madrid u tregua shumë i fortë për Tottenhamin, të cilin e përcolli në Londër me katër gola. Largimi i Peter Crouch nga loja qysh në minutën e 15-të (mori dy kartonë të verdhë), ishte pika kyçe e këtij takimi.
Madrilenët e shfrytëzuan këtë si është më së miri. Emmanuel Adebayor e kishte natën e tij, pasi realizoi dy gola me kokë.
Të parin në minutën e katërt, e të dytin në atë të 57-të. Listës së shënuesve iu shtuan edhe Angel Di Maria (72’) e Cristiano Ronaldo (87’), për ta quar në trans stadiumin e etur për suksese në Evropë, ‘Santiago Bernabeu’. Njëjtë si Schalke, Real Madrid pothuajse e ka nxjerrë biletën e gjysmëfinales.
Liga e Kampionëve
Çerekfinalja – Rezultatet
Inter – Schalke2:5
Real Madrid – Tottenham4:0