Krasniqi takon partitë opozitare
(E plotësuar) Presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi ka zhvilluar gjatë ditës takime me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lëvizjen për Bashkim, ndërkaq pasdite pritet të zhvillojë takime edhe me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe partitë e pakicave.
Ai ka thënë se këto janë takime konsultative në përpjekje për të gjetur një konsensus për zgjidhjen e krizës politike.
Krasniqi ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme nuk do ta takohet me Partinë Demokratike dhe Aleancën Kosova e Re, por vetëm me partitë opozitare, përderisa ka paralajmëruar se gjatë javës së ardhshme do të ketë një takim të përbashkët me përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare.
“Këto bisedat që i kemi zhvilluar sot, janë biseda konsultative për t’i parë qëndrimet e partive politike. Ne do të vazhdojmë edhe pas dite me këto takime me partitë politike, dhe pastaj varësisht si do të zhvillohen zhvillimet politike gjatë kësaj jave. Kurse ne mendojmë që gjatë javës së ardhshme me pas një takim të përbashkët me partitë politike të cilat janë pjesë e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Ai pret që të arrihen rezultate nga këto bisedime me subjektet politike, përderisa edhe takimet që Thaçi, Mustafa dhe Pacolli i kanë zhvilluar dje me ambasadorin amerikan Christopher Dell, i sheh në të mirë të zgjidhjes së krizës.
“Po, kjo do të thotë se partitë politike janë të gatshme që të bisedojnë edhe me prezencën e faktorit ndërkombëtar për të arritur një konsensus”, ka thënë Krasniqi, raporton KosovaPress.
Ai nuk e sheh si të dëmshëm procesin negociator mes partive politike, njërin me ambasadorin Dell dhe tjetrin me atë si ushtrues i detyrës së presidentit, përderisa këto takime kanë një qëllim, daljen nga situata politike në të cilën është futur vendi.
Vetëvendosje nuk e kandidon Demaçin
"Vetëvendosje" nuk do ta kandidojë Adem Demaçin për president, pasi kjo parti nuk e ka “komoditetin numerik” për ta bërë një gjë të tillë.
Kështu ka bërë të ditur deputeti i "Vetëvendosjes", Glauk Konjufca, pas një takimi që ai dhe përfaqësuesit e disa partive të tjera parlamentare kanë zhvilluar sot me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, njëherësh ushtruese detyre i presidentit.
Krasniqi ka mbajtur sot paradite takime me përfaqësues të partive politike në përpjekje për të tejkaluar situatën e krijuar rreth kandidatit për president të ri të Kosovës.
Krasniqi dhe përfaqësues të partive pjesëmarrëse në këto takime nuk kanë folur rreth takimi, ndërkohë që mësohet se brenda në takim është diskutuar rreth kandidatit për president, ndryshimit të nenit të Kushtetutës që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit dhe mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, raporton Telegrafi.
I vetmi që ka folur për media, ka qenë deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca. Ai tha se Vetëvendosje nuk do të përkrahë asnjë president i cili nuk merr parasysh tri kushte të dhëna nga ky subjekt politik - ndërprerja e negociatave me Serbisë, heqja dorë nga Pakoja e Ahtisaarit dhe çështja e privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha publike.
Krasniqi takon sot liderët partiakë
Ushtruesi i detyrës së presidentit, kryeparlamentari Jakup Krasniqi sot do të bëjë hapin e parë për të gjetur zgjidhje nga ngërçi politik, pasi vendi s’po mund të gjejë një kandidat konsensual për president.
Krasniqi u ka bërë tashmë ftesë të gjitha partive pjesëmarrëse në Kuvend, ndërsa takimi i parë është paraparë të realizohet në orën 10:00 me kreun e LDK-së, pastaj me Vetëvendosje, AAK dhe AKR. Këtë renditje, sipas Epokës së Re, Krasniqi ka thënë se e ka bërë sipas renditjes së partive në Kuvend.
Ndërkohë nuk është paraparë ndonjë takim i Krasniqit me kreun e PDK-së, kryeministrin Hashim Thaçi.
Të martën, Krasniqi tërthorazi ka pranuar se është anashkaluar prej bisedave për daljen nga kriza politike. Pas takimit të Kryesisë së PDK-së, Krasniqi është shprehur se këto biseda është dashur t’i udhëheqë presidenti, mirëpo, sipas tij, në çdo rrethanë më e rëndësishme është arritja e marrëveshjes dhe dalja nga kriza.
“Realisht me Kushtetutë, thuhet se bisedimet në raste të tilla do të duhej t’i udhëhiqte presidenti i Kosovës. Por nëse arrihet një marrëveshje që është në interes të çështjeve qe po kalon Kosova, është një marrëveshje e mirë”, ka thënë Krasniqi.