E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turpi, 10 nga 36 ndeshje, të trukuara

TIRANE-Ndoshta duhen bërë studime të thelluara për të gjetur precedentë të tillë. Nga 36 ndeshje të fazës së tretë të Superligës, 10 prej tyre janë trukuara haptazi, duke vënë në pikëpyetje të gjithë sezonin futbollistik në Shqipëri. Në fakt, në një pamje të parë duket çudi sesi kampionati vazhdon të zhvillohet, pasi në çdo vend të botës, minimumi një pjesë e mirë e skuadrave tashmë do të ishin dërguar një kategori më poshtë. Shprehja "na mungon motivimi" duket e huaj për futbollin, një sport që në thelb të tij ka garën dhe konkurrencën mes ekipeve. Nuk është një gjë e re të thuash se në Shqipëri skuadrat kanë lëshuar, por në përmasa të tilla dhe kaq hapur, nuk është parë kurrë. Gjendja bëhet më e rëndë kur sheh se edhe FSHF tashmë duket e dorëzuar përballë këtij fenomeni. Asnjë hetim nuk nisur institucioni qendror i futbollit në vend për rastet e dyshuara, madje ndonjëherë në mënyrë indirekte janë përfshirë edhe njerëz të saj. Kampionati i këtij viti është pa më të voglin dyshim një nga më të errtët në historinë e futbollit jo vetëm shqiptar, por edhe më gjerë. Dinamo ka toleruar në pesë javë rresht, madje edhe në ndeshjen e fundit të fazës së dytë përballë Apolonisë. Në çdo kampionat të botës, blutë jo vetëm nuk do të fitonin titullin, por do të kishin pësuar pasoja të rënda. çudia qëndron në faktin se në disa takime, lëshimet kanë ndodhur ditën për diell.
Javë pas jave
Faza e tretë nisi me dy ndeshje tepër të dyshimta, si Besa-Skënderbeu dhe Tirana-Kastrioti. Te të dyja tolerimet ishin të dukshme, sidomos tek sfida e Kavajës. Përpara takimit u fol për një ndërhyrje deri ministrore te kreu i Besës Bizhdili dhe në fushë gjithçka ishte teatër. Por, kjo "dramë" u përsërit në mënyrën më të rëndë javën e 24-t në Korçë, ku përballë ishin Skënderbeu e Dinamo. 4-3 për vendasit përfundoi ndeshja, në të cilën gjërat shkuan "vaj" për të dy ekipet. Skënderbeu mori 3 pikët, ndërsa Dinamo iu kënaq faktit se Bakaj shënoi sërish, duke mbetur në krye të listës për "Këpucën e Artë". Po në javën e 24-t, një çudi më vete ishte edhe ndeshja mes Kastriotit dhe Besës e përfunduar 3-2 për krutanët. U përfol se shkak i lëshimit të skuadrës kavajase lidhej me heqjen e 3 pikëve krutanëve në ndeshjen me Flamurtarin. Dyshime pati edhe për ndeshjen mes Dinamos e Kastriotit, e përfunduar 1-1, ndërsa në javën e 26-të, lëshimi i radhës për blutë e Muçës ishte në Vlorë, kundër Flamurtarit. Më pas, java e 27-të pati vetëm një ndeshje të përfolur, atë mes Dinamos dhe Vllaznisë, në të cilën shkodranët shënuan dy gola në minutat e fundit, duke përmbysur avantazhin e përkohshëm të Emiljano Vilës. Natyrisht, java më e turpshme mbetet ajo që sapo lamë pas, e 28-ta, me tre ndeshje të luajtura në mënyrë të çuditshme. Apolonia përmbysi gjithçka dhe fitoi 2-1 ndaj Dinamos, ndërsa Teuta bëri të njëjtën gjë ndaj Besës, duke triumfuar 3-2. Por, çudia më e madhe ndodhi në Shkodër, ku Vllaznia gjeti një mënyrë tejet origjinale për t'i falur 3 pikët Skënderbeut, duke fituar 3-2 hedhur në fushë një lojtar që nuk ishte në protokoll. Një gjë të tillë nuk do ta bënin as drejtues fillestarë, jo më një klub me kaq eksperiencë sa Vllaznia.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›