Turpi, si kategori politike e së majtës edviniste
Në themel të reagimit të djeshëm të Edi Ramës në rrjetin social “twitter” ndaj pafajësisë së Ilir Metës qëndronte fjala “turp”. Sipas lideri të opozitës, pafajësia e Ilir Metës nga akuzat pa prova të prokurorisë paska “turpëruar” jo vetëm Europën, por edhe Skënderbeun. Mirëpo turpi si kategori morale qëndron vështirë në gojën e Edi Ramës, si njeri që “turpin” e ka në vend të bukës dhe ujit të përditshëm. Mbahet mend për dreq turpi i tij fillestar që ishin fotot e dukshme cullak në plazhet e Francës si Adami pa gjethe fiku në prani të Evës dhe të të miturve. Turpi në vetvete është një hyrje tek vetja, është ndjenja e padenjësisë, e dorëzimit, e trasgresionit, inferioritetit dhe tjetërsimit. Kolegë të Ramës në Akademinë e Arteve dëftejnë një fakt shumë interesant: në vitet ’90 dëftejnë se ai i nxiste studentët të thoshin “llafe turpi”, sepse duke thënë “llafe turpi”, me demek, thyenin formën e të shprehurit, edhe për pasojë edhe atë të të menduarit. Dhe kështu i bënin oponencë narrativës zyrtare. Sharja me libër shpie ishte për të një akt revolucionar që çlironte ndrydhjen e trashëguar. Dhe si për të dhënë shembull i pari, rrugë-zbuluesi i gjesteve revolucionare të sharjes me llafe të pista dhe demontimit të reflekseve të kushtëzuara e ka turpëruar institucionin e familjes, duke u “divorcuar” me dokumente dhe pa dokumente më shumë se një herë.
Afërmendsh jo vetëm institucionin e familjes, por ai ka turpëruar qytetarët shqiptarë me fushata disa vjeçare kundra ndërtimit të rrugës kombit, kundër hyrjes në NATO, kundër liberalizimit të vizave, kundër marrjes së statusit të vendit kandidat. Më e reja që do të skuqte fytyrën e një politikani është dërgimin e kërkesës zyrtare për takim me Ramush Haradinaj, kur ky i fundit ndodhet prej muajsh në burgun e Hagës. Apo kartolina e urimit për vitin 2012, ku Rama u dërgoi shqiptarëve një imazh nudo dhe nëntekstin e gruas jo fort të ndershme. Përkundrazi dëshira për të provokuar me foto sa artistike aq dhe turpi për stekën e namuzit të shoqërisë shqiptare. Gjithsesi turpi është fakti i pamohueshëm që Rama nuk ka kërkuar kurrë falje për këto sipërmarrje të jashtëzakonshme.
Kuptohet vetiu që kemi të bëjmë me faktor “turpi” kur deputetët socialistë bojkotuan parlamentin për 6 muaj, duke mos respektuar votën e qytetarëve, por urdhrin e Ramës, të cilit i nevojitej ahere bojkoti për t’u rizgjedhur në krye të Partisë Socialiste pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2009. Element i turpërues për kombin ishte bllokimi i akseve kryesore të rrugëve të Shqipërisë me djegie gomash, i bllokimit të bulevardit me çadra dhe grevë urie, i daljes në demonstrata të dhunshme kundër kryeministrisë. Për turp sjellja e kreut të PS-së gjatës demonstratës së 21 janarit, ku Rama në vend që të ishte në ballë protestës qëndronte tek kafja e Fidelit duke u shkruar sms nxitësve të dhunës ndaj institucionit kushtetues. Këtë fakt të pamohueshëm ia kanë përplasur në fytyrë jo vetëm kundërshtarët e Ramës, por dhe disa deputetë socialistë dhe komentatorë politikë.
Çdo politikan europian do ta kishte për turp të bënte qoftë dhe një prej akteve publike të liderit të opozitës shqiptare. Do të përbuzej për fjalët e thëna kundër lidhjes me autostradë të kombit, kundër integrimit në aleancën më të madhe politiko-ushtarake perëndimore, kundër heqjes së vizave me Europën, kundër votimit të ligjeve me 3/5, aq të nevojshme për integrimin Europian. Dhe ngrirja e fundit e marrëveshjes për votimin e ligjeve është një gjest i turpshëm në sytë e shqiptarëve.