“Një komb një qëndrim”, parimi që qëndron në shpirtin, zemrën dhe aspiratën e shqiptarëve

Ne mblidhemi sot në këtë seancë, ditën që prijësi i përjetshëm i shqiptarëve, Skënderbeu, mbylli sytë, por mblidhemi në një akt nderimi të madh ndaj atij, që rron dhe do të rrojë përjetë, në zemrën,mendjen, por mbi të gjitha në kurajën, guximin, aspiratën e shqiptarëve për liri dhe dinjitet.
Skënderbeu, do të nderohet gjithmonë, si një ndër prijësit më të pashembullt në historinë e qytetërimit perëndimor, si një ndër strategët më të mëdhenj të kohërave që krijoi, organizoi dhe mbrojti, në dhjetëra e dhjetarë beteja legjendare shtetin e shqiptarëve , në një kohë që shembeshin njëra pas tjetrës shtete dhe perandori. Kombet, prijësve të tyre, heronjve të tyre, ju detyrohen për shumë çka, për shumë e shumë kontribute, kurse shqiptarët, Skënderbeut i detyrojnë ekzistencën e tyre, frymëzimin njerëzor dhe hyjnor të tyre,për liri, dinjitet dhe të ardhme.
Por, dita e sotme, është një nga ditët më të shënuara në historinë e parlamentit të kombit shqiptar, sepse në këtë sallë janë ulur sot, janë mbledhur, për të çelur vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, deputetët shqiptarë nga të gjitha viset e kombit, të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve shqiptarë. Dhe unë mendoj se kjo përbën arritjen më të madhe të këtij shekulli për ne, përben nderimin më të madh ndaj të gjithë atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, që flijuan rininë dhe jetën e tyre për këtë ditë, për qindra mijëra, miliona shqiptarë, që me mundin dhe djersen e tyre dhanë ndihmesën në këtë ditë, për arritjen e kësaj dite.
Për të gjithë ata, që nga ‘870 deri në 2001, bënë gjithçka për dinjitetin tonë. Ne jemi mbledhur këtu, në këtë seancë, si përfaqësues të të gjitha trevave shqiptare, për të nderuar fillimin e 100 vjetorit të Pavarësisë, kryengjarjes së një shekulli për shqiptarët dhe këtë ia detyrojmë në radhë të parë faktit se ne, në çdo rrethanë, në çdo kohë, në çdo furtunë qëndruam së bashku. Thellë në shpirtin, në zemrën, në aspiratën e shqiptarëve qëndron parimi “Një komb një qëndrim”, asgjë s’mund të ndalë dhe copëtojë shpirtin e një kombi, trupin po, por shpirti është një i pa ndarë, shpirti i një kombi është liria e tij, liria e tij është një e pandarë, ndaj lavdi Zotit, ne vijmë sot të lirë në këtë sallë, sepse qëndruam së bashku.
Ne vijmë të lirë në këtë sallë, sepse ne, gjatë një shekulli i faktuam vetes sonë, miqve tanë, mbarë botës, se për shqiptarët, si komb i qytetëruar, liria nuk ka çmim, se ata janë të gatshëm të paguajnë çdo çmim që lipset, për të qene të lirë dhe të denjë në shtëpitë e tyre.
Pavarësia e Shqipërisë ishte një imponim i luftërave të shqiptarëve, kryengritjeve të tyre gjigante, në Kosovë dhe treva të tjera ,të udhëhequra nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, dhe burra të tjerë të mëdhenj të kombit. E vërteta është, se sot nderimi më i madh i takon plakut mendje ndritur, gjeniut vizionar Ismail Qemalit, i cili në rrethanat më të vështira kombëtare dhe ndërkombëtare, shpalli në Vlorë Pavarësinë e
Shqipërisë ndonëse në 1/3 e territoreve të vendit, por ky gjeni vizionar e kishte të qartë se në tryezat e kohës ishte kombi shqiptar, ishte ekzistenca e tij, se në tryezat e kohës ishte fshirja nga harta e Europës e shqiptarëve, e shtetit të mundshëm të tyre dhe të Pavarur. Ismail Qemali kuptoi se shqiptarët për të vazhduar betejën e tyre, duhet të kishin si Anteu, tokën ku do të mbështeteshin. 100 vite shqiptarët së bashku, ndaj dhe ne sot i shprehim atij nderimin më të madh për mençurinë, guximin, kurajën vizionin e tij.
Pavarësia e Shqipërisë erdhi si një akt, më së shumti vepër e luftërave të shqiptarëve, por edhe e mbështetjes së miqve tanë, e megjithatë ajo fare pak vite më pas, do të vihej e tëra në diskutim.
Traktatet e tjera do të firmoseshin do të nënshkruheshin mbi Shqipërinë, me një qëllim të vetëm që ajo të mos ekzistonte. Por prapë shqiptarët, këta armëmbajtës i qëndruan sakrificave të tyre për liri. Më shumë se 1/10 e tyre, ranë në luftën e Parë Botërore për të mbrojtur trojet dhe territoret. Përpjekje të jashtëzakonshme u bënë për të konsoliduar Shtetin e Pavarur shqiptar. Në këtë kontekst ne u detyrohemi shumë burrave të mëdhenj të kombit si, Sulejman Delvina, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Ahmet Zogu, por në mënyrë të veçantë në përpjekjen për konsolidimin e një shteti shqiptar, një personalitet i jashtëzakonshëm i historisë sonë kombëtare ka meritat e mëdha dhe ky është mbreti i parë i shqiptarëve, Ahmet Zogu.
Trojet shqiptare, njësoj si vendet e tjera njohën pushtimet barbare në Luftën e Dytë Botërore. Shqiptarët, në të katër anët e trojeve të tyre rrokën armët, mbushën fushat, malet dhe kodrat e tyre me luftëtarë lirie, renditën Shqipërinë dhe shqiptarët në anën e drejtë të historisë. Por sërish liria mbetej një aspiratë për tu realizuar. Shqiptarët në Shqipëri ranë nën diktaturën më të egër. Shqiptarët në Maqedoni, Kosovë dhe treva të tjera pësuan shtypjen e dyfishët atë kombëtare dhe individuale. Të dukej se përsëri ishin aktuale vargjet e Vaso Pashës: Të shkon bota sipër/ me këmbë të shkel/ e një fjalë të mirë askush s’ta flet./Por kjo nuk ishte në mendjen dhe në zemrën e shqiptarëve. Sërish, ata do të paguanin me një rezistencë shumë të madhe për lirinë e tyre. Kampet e përqendrimit, burgjet në të gjithë këtë hapësirë do të mbusheshin me shqiptarë, në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe kudo. Vitet ’90 do të na gjenin ne përsëri në pamje të parë si një komb i përjashtuar, por aspirata për liri e shqiptarëve ishte e gjallë.
Në Kosovë shqiptarët do të organizonin rezistencën paqësore, më të përsosur që Evropa ka njohur në të tërë historinë e saj, të udhëhequr nga një burrë legjendar, Presidenti Ibrahim Rrugova. Çështja e shqiptarëve në Kosovë do të shtrohej në të gjitha tryezat e mëdha dhe ne kancelaritë e botës. Pas dekada qëndrese paqësore qytetarët e Kosovës rrëmbyen armët dhe bënë, pra shqiptarët në tërësi, Luftën e fundit Çlirimtare në Evropë. Me sakrifica mbinjerëzore ata ia dolën që të çlirojnë Kosovën, të bëjnë Kosovën më të lirë dhe të nxjerrin nga harta e Evropës koloninë e fundit që kishte mbetur. Ne jemi sot këtu, të lirë dhe krenarë sepse shqiptarët në Maqedoni pas përpjekjesh të mëdha organizuan gueriljen më të shkëlqyer që Ballkani ka njohur në të tërë historinë vet. Po kështu në vitet ’90 ne ishim qytetarët më të izoluar të planetit, ne nuk kishim disidencë, sepse disidenca ekzekutohej. Ne nuk flisnin dot për lirinë dhe të drejtat sepse ato i priste dënimi kapital.
Regjimi diktatorial kontrollonte gjithçka dhe dukej se ne do të përfundonim si “Kuba e Adriatikut”. Po jo, studentët u ngritën, punonjësit e Tiranës u ngritën dhe në një betejë epike gjunjëzuan një regjim, që shtypi në mënyrën më të egër, vendin e tij dhe kombin e tij dhe u shpall si parim çështja kombëtare, ylli polar i politikës shqiptare. Ne fituam sepse patëm një mbështetje të fuqishme të diasporës shqiptare dhe kjo diasporë ka një rol të jashtëzakonshëm në historinë tonë. Aty lindi rilindja kur ajo nuk lindte dot në trevat, në Shqipëri apo në vende të tjera. Aty u mbajtën të gjalla flakët e lirisë së kombit përjetësisht. Kjo diasporë luajti një rol të jashtëzakonshëm në lirinë e shqiptarëve, në lirinë e Kosovës, në lirinë e shqiptarëve në Maqedoni dhe kudo, ndaj dhe ne duhet të përulemi me nderimin më të madh.
Ky ishte një shekull i mundimeve tona të mëdha, i sakrificave tona të mëdha herë, herë dhe mbinjerëzore, por sot është një rast të nderojmë ata qindra dhe mijëra burra dhe gra, miq të kombeve të tjera të cilat ngritën fuqishëm zërin për lirinë tonë, aty ku ne, zë nuk kishim. Tu shprehim nderimin tonë më të madh miqve tanë kudo në botë të cilët i kanë dëshmuar Shqipërisë dhe shqiptarëve një solidaritet të jashtëzakonshëm në këto dekada përcaktuese për lirinë tyre. Pasi dolën nga kuadri i fuqive koloniale, ato e kuptuan plotësisht se sa të padrejta kishin qenë vendimet e tyre ndaj shqiptarëve dhe sot janë miqtë tanë më të shkëlqyer. Por sot, një mirënjohje të veçantë dhe falënderim ne duhet ti shprehim kombit të madh amerikan, qeverisë së tij, i cili ka qenë përcaktues në momentet më kritike të ekzistencës të kombit shqiptar. Ne kemi fituar beteja nga më të vështirat dhe më të paimagjinueshmet sepse kemi pasur fatin e madh të kemi mbështetjen e kombit të madh amerikan, Kongresit dhe Presidentit të këtij vendi.
Ne jemi një komb perëndimor dhe nuk kemi ndonjë lidhje gjaku me kombin amerikan, por mbështetja e këtij kombi për shqiptarët buron nga pasioni i këtij kombi për lirinë. Dhe në të gjitha rastet, kushdo që lexon dhe vështron historinë gjen se është ky komb, që s’u pajtua kurrë me atë që u imponohej shqiptarëve, me dhunimet e lirisë së tyre, ndaj dhe që nga vitet e fillimit të shekullit që shkoi dhe deri në fundin e tij, në çdo betejë të madhe, në krahun tonë ka qenë demokracia më e madhe dhe më e fuqishme e botës, SHBA-të dhe kjo është një ditë nderimi.
Unë do ta mbyll fjalën time , duke ftuar shqiptarët që në emër të këtyre sakrificave të mëdha, në emër të respektit të atyre që nuk panë një ditë të lirë, ndaj atyre që u flijuan për lirinë dhe dinjitetin tonë, të detyrimit të madh ndaj miqve tanë, le të bëjmë gjithçka që të bëjmë çdo ditë e më shumë qytetarët shqiptarë, më të lirë,më të begatë, më të sigurt, të bëjmë gjithçka për projektin tonë të madh, projektin e shqiptarëve në Evropë. Në këtë rrugë ne kemi arritje të mëdha , në këtë rrugë ne sërish kemi vështirësi reale, por e vërteta është që mundësitë tona, potencialet tona janë shumë e shumë herë më të mëdha se vështirësitë. Edhe njëherë le te urojmë ne qe ky vit të jetë një vit i mbarë për shqiptarët, që viti i 100 vjetorit të pavarësisë, të shndërrohet në vitin e rivlerësimit, e nderimit të madh për njërit tjetrin , për të gjitha ata, të cilët kanë bërë të mundur këtë ditë, për miqtë tanë.
* Fjala e Kryeministrit Sali Berisha me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.