E Diel, 1 Nëntor 2026

100 vjetori i Shqipërisë si kujtesë dhe misioni i nesërm

18-01-2012 / Gazeta 55

Çelet Kalendari i veprimtarive me rastin e shekullit të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Parlamentarë nga të gjitha trojet shqiptare nderuan shekullin e përpjekjeve titanike të patriotëve të shquar dhe aktivistëve mendjendritur dhe kujtuan misionin e përbashkët të së nesërmes, atë të integrimit të të gjitha trojeve në hapësirat euroatlantike 

Në Kuvendin e Shqipërisë nisën dje kremtimet për vitin Jubile, 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. Nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, në sallën plenare u organizua një seancë solemne kushtuar firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë, shtetarëve të mëdhenj dhe të gjithë atyre, paraardhësve rilindës, që me penë e me pushkë , punuan me vetëmohim dhe  sakrifikuan për Flamurin e Skënderbeut, shtetin shqiptar dhe lirinë e kombit.
Kjo seancë në Kuvendin e Shqipërisë, u zhvillua edhe në përkujtim të 17 Janarit, ditës kur mbylli sytë Heroi Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili u la amanet shqiptarëve Flamurin  dhe bashkimin mes vendit, për lirinë e  vendit. Ky mision, sa fisnik dhe jetik për shqiptarët, u krye nga etërit e Kombit, përmes mundimesh e flijimesh të pafundme.
Ceremonitë e djeshme, e nderuan Kryeministri Sali Berisha, Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, deputetë shqiptarë të Parlamenteve të Kosovës, të Maqedonisë, Malit të Zi, pinjollë të familjeve të firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë, ambasadorët e BE, OSBE-së dhe të vendeve të tjera në vendin tonë, përfaqësues nga Diaspora, si dhe të ftuar, të ardhur posaçërisht, për këtë seancë solemne.
Për herë të parë  në historinë e parlamentarizmit shqiptar, Kuvendi  nderoi me dinjitet të merituar, shekullin e përpjekjeve titanike e sublime të patriotëve të shquar dhe të gjithë shqiptarëve mendjendritur, që arritën të kurorëzonin me ngritjen e Flamurit Kombëtar, shpalljen e Pavarësisë në 28 Nëntor 1912 dhe për të mbërritur deri te krijimi i shtetit të Kosovës.
Hapja zyrtare e siparit të kalendarit të aktiviteteve shtetërore për 100 Vjetorin e Flamurit, filloi me festime në mjediset e jashtme të Kuvendit me këngë e valle, pjesë të luajtura nga banda shtetërore  dhe performanca të ndryshme folklorike nga të gjitha trevat shqiptare.
Kjo atmosferë i përcolli  gëzueshëm te të pranishmit dhe qindra qytetarë spektatorë, emocionet dhe ndjenjat e atdhedashurisë, që shqiptarët kanë trashëguar në shekuj, prej nga koha e lavdishme e Gjergj Kastriot e deri në Kuvendin e Vlorës, në 1912.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›