E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqi-Franë, tensionohen marëdhëniet mes dy vendeve

Ministri i Jashtëm turk Ahmet Dautollu hodhi poshtë me vendosmëri kërkesën që Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, i bëri Turqisë për të pranuar të shkuarën e saj.
Dautollu tha se asnjë shtet me një të shkuar koloniale nuk mund t’i japë Turqisë leksione mbi përballjen me historinë. Zoti Dautollu tha gjithashtu se do të ishte mirë nëse Franca përballet me të kaluarën e vet.
Ankaraja thotë se vrasjet në masë të armenëve midis vitit 1915 dhe 1923 ishin rezultat i trazirave gjatë Luftës së Parë Botërore dhe shembjes së Perandorisë Osmane. Por Armenia, së bashku me një pjesë të madhe të komunitetit ndërkombëtar, thotë se ishte gjenocid. Sarkozy, gjatë një vizite në Armeni javën e shkuar, u shpreh se duhen krijuar ligje që të konsiderojnë si kriminelë mohuesit e gjenocidit.
Presidenti francez gjithashtu preku një tjetër argument tensionues midis vendit të tij dhe Ankarasë, duke përsëritur kundërshtimin ndaj kërkesës së Turqisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, me arsyetimin se Turqia nuk është një vend evropian. Ky kundërshtim ka sjellë një keqësim të shpejtë të marrëdhënieve dypalëshe.
Në një moment kur rajoni ndodhet në një pikë të brishtë dhe të rëndësishme të historisë, analistët thonë se tensionet në marrëdhëniet dypalëshe midis Francës dhe Turqisë mund të shndërrohen në një tjetër faktor paqëndrueshmërie.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›