Turqi, Topi: Ekonomia shqiptare ka bërë progres

Topi duke folur ne Samit
IZMIR- Kryetari i Shtetit, Bamir Topi në fjalën e tij në samitin e 15-të Ekonomik Euroaziatik në Seancën e Presidentëve me temë Uria, varfëria, papunësia theksoi se ekonomia e Shqipërisë është përmirësuar në mënyrë të dukshme gjatë dekadës së fundit, se reformat në zhvillimin e infrastrukturës, mbledhja e të ardhurave tatimore dhe administrimi i biznesit kanë bërë progres.
Duke vlerësuar lart rolin, rëndësinë dhe ndikimin e Samitit të 15 të Ekonomik Euro-aziatik, Presidenti Topi tha se në emër të popullit shqiptar, me emocion të veçantë, bashkoj zërin me të gjithë ata që janë përpjekur, po përpiqen dhe do të përpiqen për tu siguruar të drejtën e të ushqyerit dhe ushqimit, zvogëlimin e varfërisë dhe të papunësisë në rajonin euro-aziatik dhe mbarë botën.
Në fund të fjalës së tij , kreu i Shtetit dha një mesazh të rëndësishëm, ne duhet të përpiqemi më shumë që ta ndryshojmë të ardhmen e njerëzve që vuajnë nga uria dhe të keq ushqyerit, nga varfëria dhe papunësia, tha ai, sepse ndryshimi është ligj i jetës që kërkon ndryshimin e veprimeve tona për të ardhmen e afërt dhe më tej.